KPK-ja kërkon mbi 11 milionë euro shtesë në buxhetin e vitit 2027
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar me 7 vota kërkesën buxhetore për vitin 2027 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2028-2029.
Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, ka prezantuar kërkesën buxhetore për vitin 2027 për këtë institucion.
“Për strukturat administrative janë paraparë shtesat për funksionin shtesë, shpenzimet e kujdestarisë për prokurorë dhe staf, të cilat janë imediate. Gjithashtu, janë përfshirë shtesat tranzitore, shtesat për kushtet e tregut të punës, shtesat për performancën, shtesat për punën me orar të papërcaktuar dhe shtesat jashtë orarit, si dhe pagat për 185 pozita të kërkuara për këtë vit. Mjetet e nevojshme në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve janë kërkuar për të mbuluar shpenzimet për ekspertiza gjyqësore, shpenzimet për avokatë dhe ndërmjetësues, si dhe shpenzimet për mirëmbajtjen e objekteve, përfshirë këtu objektin ‘C’ të Pallatit të Drejtësisë, i cili ka qenë në përgjegjësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme që nga viti 2025, ndërsa kjo përgjegjësi tashmë është bartur te Këshilli Prokurorial i Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se këto mjete janë të domosdoshme edhe për investime kapitale.
“Mjetet shtesë të kërkuara sipas kategorive janë kryesisht për mbulimin e projekteve kapitale: ndërtimin e objektit për Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Prokurorinë e Apelit, ndërtimin e objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, ndërtimin e objektit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, si dhe avancimin dhe funksionimin e pajisjeve harduerike dhe softuerike për tërë sistemin prokurorial të Kosovës. Buxheti i aprovuar dhe numri i stafit në të gjitha kategoritë ekonomike për vitin 2027 është si në vijim: 969 pozita. Pagat dhe shtesat janë 14.598.523 euro, mallrat dhe shërbimet 3.694.759 euro, shpenzimet komunale 299.116 euro, shpenzimet kapitale 2.534.501 euro, ndërsa subvencionet dhe transferet 14.400 euro. Pra, gjithsej buxheti i aprovuar për vitin 2027 është 21.141.298 euro”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka thënë se është planifikuar që numri i stafit të rritet nga 969 në 1.150.
“Pagat dhe shtesat për t’u mbuluar janë gjithsej 17.766.133 euro, mallrat dhe shërbimet 4.809.560 euro, shpenzimet komunale 299.116 euro, shpenzimet kapitale, pas ndryshimeve dhe kërkesave për ndërtimin e objekteve të reja, janë 9.395.000 euro, ndërsa subvencionet dhe transferet mbeten të pandryshuara në 14.400 euro. Pra, rrjedhimisht, numri i stafit të planifikuar është 1.150, që paraqet një rritje prej 181 punonjësish ose 18.68 për qind. Pagat dhe shtesat do të shtohen për 3.167.610 euro ose 21.70 për qind, mallrat dhe shërbimet për 1.114.800 euro, shpenzimet komunale nuk do të ndryshojnë, ndërsa shpenzimet kapitale do të shtohen për 6.860.500 euro. Rrjedhimisht, buxheti i planifikuar për vitin 2027 do të ketë një rritje prej 11.142.911 eurosh krahasuar me atë që është planifikuar deri më tani”, ka thënë Vuniqi.
Ndërsa kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka përmendur disa investime që janë të domosdoshme për funksionimin e zyrtarëve gjyqësorë, sidomos në Pallatin e Drejtësisë, ku sipas tij mungojnë klimatizuesit në hapësirat e punës.
“Sot kemi kolegë në Pallatin e Drejtësisë që, në këto ditë të nxehta, punojnë në temperatura mbi 30 gradë”, ka thënë Gashi.



