Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, opozita bllokon foltoren

18 qershor 2026 | 12:53

Tensione janë regjistruar këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren gjatë seancës plenare.

Situata është tensionuar pasi kreu i opozitës, Sali Berisha, ka kërkuar fjalën pas Taulant Ballës. Drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, nuk ia ka dhënë fjalën, çka ka shkaktuar reagime nga deputetët e opozitës dhe bllokimin e foltores.

Pasi deputetët e opozitës nuk kanë pranuar të largoheshin nga foltorja, Niko Peleshi e ka ndërprerë seancën për pesë minuta, raporton “Euronews.al”.

Edhe pas rifillimit të seancës, deputetët e Partisë Demokratike kanë vijuar ta mbanin të bllokuar foltoren. Ata kanë kërkuar të merrnin fjalën për procedurë, por drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, nuk i  ka lejuar.

Ai ka njoftuar se do të kalohej në pikën e tretë të rendit të ditës, ku ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, do të raportonte për Konferencën e Tetë Ndërqeveritare BE-Shqipëri lidhur me procesin e negociatave dhe integrimit të vendit.

“Mos e prishni seancën në pikën e gabuar, sidomos në këtë pikë. Lejoni ministrin e Jashtëm të flasë. Është pikë e rëndësishme, ka interes publik dhe qytetarët duan të dinë për procesin e integrimit”, ka thënë Peleshi.

Nga salla dëgjoheshin thirrjet e opozitës: “Zbato rregulloren, zbato procedurën…”, ndërsa Peleshi ka theksuar se po zbatohej rregullorja dhe se fjala nuk merret kur kërkohet jashtë rendit të ditës.

“Fjala nuk merret kur e do. Këto janë pikat e rregullores. Është e pamundur ta merrni fjalën në këto kushte”, është shprehur ai, duke i kërkuar opozitës të respektojë procedurën.

Më pas, deputeti Flamur Noka ka akuzuar drejtuesin e seancës për shkelje të rregullores, ndërsa Peleshi i është përgjigjur me tërheqje vëmendjeje.

“Turp”, është dëgjuar nga salla, ndërsa deputetët e opozitës kanë drejtuar gishtin nga drejtuesi i seancës.

Në fund, Peleshi ka vendosur ndërprerjen e seancës për 15 minuta, duke theksuar se “seanca nuk është arenë gladiatorësh”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një krim që është mbajtur…