Bujar Osmani godet Kurtin: Mbështeti ndryshimin në Shkup, sot Evropa paralajmëron afrimin e Maqedonisë me Serbinë
Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar pas vlerësimeve të Parlamentit Evropian lidhur me orientimin politik të vendit, duke e ndërlidhur këtë zhvillim me mbështetjen që, sipas tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u kishte dhënë ndryshimeve politike në Shkup.
“Kur Albin Kurti mbështeste ndryshimin e pushtetit në Shkup, e paraqiste atë si fitore të politikës së re ndaj establishmentit të vjetër. Sot, Parlamenti Evropian ngre shqetësimin se Maqedonia e Veriut po afrohet gjithnjë e më shumë me qeverinë e Serbisë, po ekspozohet ndaj ndikimeve ruse dhe ndaj narrativave të të ashtuquajturës ‘Botë Serbe’.
Paradoksi është i qartë.
Nuk e di nëse Albin Kurti e ka pasur ndonjëherë qëllim forcimin e ndikimit serb në rajon. Por politika nuk matet vetëm me qëllime; politika matet me pasoja.
Pyetja që meriton përgjigje është: si ndodhi që një lëvizje politike, e cila e ka ndërtuar identitetin e saj mbi kundërshtimin e hegjemonizmit serb, u bë sponsore e aktorëve politikë që sot përmenden në raportet evropiane për afrimin e vendit me Beogradin?
Për dekada me radhë, shqiptarët në rajon kanë ndarë prioritete të përbashkëta strategjike: integrimin euroatlantik, partneritetin me SHBA-të, orientimin drejt Bashkimit Evropian dhe rezistencën ndaj projekteve që cenojnë sovranitetin e shteteve të Ballkanit.
Kur interesat partiake fillojnë të zëvendësojnë këto prioritete strategjike, humbës nuk janë kundërshtarët politikë. Humbës bëhen interesat kombëtare.
Prandaj, pyetja nuk është pse Parlamenti Evropian po ngre alarmin. Pyetja është: a do të ketë dikush guximin të shpjegojë se si përfunduam këtu?”, ka shkruar Osmani.



