Rama nesër në Paris, pritet të takohet me presidentin Macron
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë nesër një takim me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Rama do të udhëtojë drejt Parisit, ku pritet të mbërrijë në orën 13:00 në Pallatin Élysée.
Sipas njoftimit të qeverisë franceze, dy liderët do të diskutojnë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe për investimet franceze në vend.
“Ky takim zhvillohet në vijim të shkëmbimeve mes dy drejtuesve, të cilët janë takuar, veçanërisht, në Paris në prill 2024, si dhe në Tiranë në tetor 2023 dhe maj 2025. Presidenti i Republikës dhe Kryeministri Edi Rama do të diskutojnë mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe reformat e ndërmarra në këtë kuadër”, thuhet në njoftim.
Sipas të njëjtit njoftim, Macron do të rikonfirmojë mbështetjen e vazhdueshme të Francës për vijimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me kërkesat dhe parimet mbi të cilat bazohet ky proces.
Dy drejtuesit do të diskutojnë gjithashtu zhvillimin e bashkëpunimit në fushat e arsimit, ekonomisë dhe energjisë, si dhe perspektivat që ofrojnë investimet franceze në Shqipëri.
Po ashtu, pjesë e diskutimeve do të jenë edhe bilanci i disa projekteve, nismat e mbështetura nga grupi AFD në fushat e energjisë dhe mjedisit, si dhe mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e transportit, infrastrukturës dhe mbrojtjes.



