“Grue prej zjermi” nga Donika Dabishevci, një libër që i këndon lirisë së gruas

29 qershor 2026 | 16:25

Shtëpia Botuese Littera sjell për lexuesit librin e ri me poezi të poetes dhe studiueses Donika Dabishevci “Grue prej zjermi”. “Grue prej zjermi” e vendos dashninë në qendër të ligjërimit poetik, duke e konceptuar si përvojën më të thellë të qenies njerëzore dhe si hapësirën ku njeriu përballet me veten, me tjetrin dhe me kuptimin e ekzistencës.

Në këtë univers poetik, gruaja shfaqet si bartëse e lirisë, kujtesës, rebelimit dhe qëndresës shpirtërore, ndërsa poezia shndërrohet në një meditim mbi identitetin, kohën dhe etjen njerëzore për afri e kuptim. Libri bart edhe frymën e një brezi të rritur mes luftërash, idealesh, tranzicionesh, shembjesh e zhgënjimesh. Një brezi që e ka përjetu historinë mbi lëkurën e vet dhe që vazhdon me kërku kuptim, liri e dinjitet njerëzor.

Nga autorja: “Pas “E gjithkohshmja Andërr”, që futet thellë n’mizorinë dhe tmerret e luftës, jam rikthy n’truallin tem t’natyrshëm poetik. Te Donika që i këndon dashnisë. Te Donika që i këndon gruas. Te Donika që i këndon lirisë.

Sepse gjithmonë kam besu se dashnia asht ajo që e çon njeriun drejt thelbit t’qenies, aty ku trupi, mendimi e shpirti flasin t’njajtën gjuhë. Aty ku bien maskat, shdavariten iluzionet dhe shpirti mbetet lakuriq përballë vetes, tjetrit e jetës. Aty ku e ndjejmë kohën ma thellë, përkohësinë ma randë e etjen tonë ma t’vjetër: me u pa, me u kuptu, e me u bashku me tjetrin me tan’ fuqinë. “Grue prej zjermi” asht libër për gruen që dashunon me trup, me mendje e me shpirt. Për gruen që mban brenda vetes mall, epsh, butësi, mllef, dhembshuni e rebelim.

Për gruen që nuk lejon me iu vu zingjirë e pranga mendore. Për atê që s’asht tkurrë e zvogëlue për askend. Që s’ka hy n’skema, n’kallëpe t’dëshirume e as s’ka pranue shpërblime që kurthojnë n’përulje, n’nënshtrim e n’heshtje. Për gruen që edhe kur digjet prej jetës vazhdon me shndrit. Me shndrit fort. “Grue prej zjermi” asht libër për njerëzit që nuk pranojnë me u mpi shpirtnisht. Për ata që ende kërkojnë kuptim, thellësi e vërtetësi në nji kohë ku gjithçka rrëshqet shpejt, konsumohet shpejt e harrohet edhe ma shpejt. Për ata që ende besojnë se njeriu ka nevojë për dashni, për mendim e për poezi! “ , thotë poetja Donika Dabishevci.

Për autoren: DONIKA DABISHEVCI është poete, studiuese dhe botuese. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar edhe masterin për të vazhduar në Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2013 doktoroi po në letërsi.

Ka botuar: “Krizantema të plasura”, proza poetike, Prishtinë, 1996, “Imazhe të brishta”, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2004, “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari”, studim monografik, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015, “Kam me ardhë si deka”, poezi, OM, Prishtinë, 2015, “Dashnisë së nji nate”, poezi, Bard Books, Prishtinë, 2020, “E gjithkohshmja Andërr”, poezi, Littera, Prishtinë, 2024, fituese e Çmimit si libri më i mirë me poezi, për vitin 2024 nga Ministria e Kulturës së Kosovës, dhe po ashtu si libri më i mirë me poezi gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, 2024, “La tua robinja” Essemble, Romë, 2017, “Ke stasam kako smrtta”, Rezna, Shkup, 2023, “Mi venos kvazaŭ la morto”, Kava Pech, Çeki, 2023, “Tuttempa revo”, DEC, Kroaci, 2025. Përvoja e saj profesionale shtrihet mes fushës së medias dhe asaj akademike. Ka themeluar dhe menaxhon Portalin për Kulturë, Art dhe Letërsi ObserverKult, Shtëpinë Botuese Littera dhe Festivalin Poetik të Prishtinës. Poezitë e saja tashmë janë përkthyer në 12 gjuhë. Ato flasin në gjuhën angleze, gjermane, frënge, italiane, suedeze, bullgare, rumune, turke, serbe, maqedonase, malazeze dhe esperanto.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klea Çoçaj shpall të pavlefshme dëftesën e klasës se 10…