Rexhep Qosja: Personalitet i madh i Kombit 

26 qershor 2026 | 19:27

Feride Papleka

-90 vjetori i tij, beteja e vetme që humbi-

“Jeta është ikje e vazhdueshme, e pandalshme nga lumturia”
Rexhep Qosja (Ditar VI).

“Rexhep Qosja nuk është një individ, por një institucion. Me ikjen e tij nga kjo botë mbyllet një epokë në letërsinë dhe kulturën shqiptare, por edhe në jetën tonë kombëtare: “Epoka Qosja”. Njeri me energji të pashtershme dhe me përkushtim të madh ndaj punës krijuese, për të mund të thuhet se krijoi një opus letrar e shkencor, pa të cilin nuk mund të mendohet kultura shqiptare e gjysmës së dytë të shekullit XX dhe e çerekut të parë të këtij shekulli” / Agim Vinca

I. NGA MADHËSHTIA E FJALËS, NË VEPËR

Ai lindi në një vend ku kufijtë e kishin ndarë prej kohësh nga toka e të parëve. Askush nuk e kupton thellësisht kohën, këtë “Zot tjetër”, ashtu si e quan Jorge Luis Borges (Horhe Luis Borhes) dhe pakkush e di mirë se ç’është Historia që jo rrallë u sjell aq fatkeqësi e aq mundime njerëzve. Dhe përfytyrohet se shqetësimi i prindërve, ka kaluar në mënyrë të natyrshme te fëmija. I rritur mes atyre visoreve, bukuria mahnitëse e të cilave vjen e trazuar gjithnjë me ndjenjën e padrejtësisë historike, edukatës së një babai që flet më tepër me heshtjen e tij tronditëse dhe një nëne të re e të lumtur që ka njohur dashurinë e një të kthyeri “në jetë” pas një rruge të mundimshme drejt vdekjes, ai mbaron mësimet e para në vendlindje, në Vuthaj, e ato gjysmë të mesme në Guci. Kështu, me përvojën e një djaloshi nga krahinat e thella, i cili e vështron jetën me romantizëm, në vitin 1954 ai niset për në shkollën Normale të Prishtinës, në Kosovë.
Përballja me një qytet të madh e bën atë të menduar dhe i sjell gjithnjë në kujtesë bisedat që ka dëgjuar nga të rriturit për masakrat që kishte përjetuar popullsia shqiptare e krahinës, sidomos në vitin 1913, kur i ati ishte detyruar të ngjëronte fatin e të përndjekurit nga tokat e vendlindjes i ri e të kthehej pastaj i vetmuar, me dyfishin e moshës mbi supe. Plagën e tij të pashërueshme, se kishte lënë pas thuajse gjithë familjen, vdekur nga epidemia e tifos qysh në muajt e parë të mbërritjes në kampet e ngritura prej ndërkombëtarëve, në afërsi të Shkodrës, Qosja nuk mund ta harrojë kurrë. I ati, ishte thuajse një personazh i nxjerrë nga Bibla, një Job i kohëve moderne. “13.7.1972: Kur isha fëmijë, fjala më e shpeshtë që dëgjoja prej gojës së babait tim ishte Shkodra. Me fjalën Shkodër e kalonte ditën, me fjalën Shkodër e priste mbrëmjen dhe me fjalën Shkodër zgjohej në mëngjes. Vetëm kur të rritem do të kuptoj pse babai im aq shpesh e përmendte fjalën Shkodër; vetëm atëherë do të kuptoj pse gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbasi Plava dhe Gucia i ishin bashkuar shtetit amë, Shqipërisë, babai im disa herë kishte qenë në Shkodër” (Ditar I).
Prishtina, kryeqytet i krahinës me një jetë relativisht të organizuar kulturore, ekonomike e shoqërore, e bën menjëherë për vete. Në Normale ka edhe një bibliotekë të pasur, e cila e fut natyrshëm në botën e çudirave. Ai është lexues i rregullt, një mik besnik i librit. Mbresa të pashlyeshme i lënë dy gjigantë të letërsisë: Jules Verne, themelues i letërsisë fantastike dhe Honoré de Balzac , mjeshtër i realizmit kritik.
Nga leximet po formohej gradualisht një harmoni e brendshme, që do të përcaktonte personalitetin e tij të ardhshëm. Si nxënës i Normales ai nuk kishte bursë, sepse në Republikën e Malit të Zi ku e kishte “tradhtuar” fati historik, shqiptarët ishin të përjashtuar nga bursat. Sidoqoftë, një nga mësueset e tij, duke vlerësuar përparimin në mësime, arriti t’i siguronte një bursë për vitin e fundit. Në atë kohë, ai ishte bërë disi i njohur me disa shkrime, kryesisht hartime, që botoheshin në revistën Përparimi.
Pas shkollës Normale, të cilën e mbaroi edhe me një dashuri të fituar në zemër, ai emërohet mësues në fshatin Shipol në rrethinat e Mitrovicës. Duke kryer “borxhin” ndaj komunës, që i kishte dhënë bursën, ai mbrun ëndrrën e bukur se duhet të bëhet një njeri, që mund të thotë diçka të re, por e përmbledh gjithë këtë dëshirë në fjalën e pashprehur : shkrimtar. Këtë e ka treguar dhe e tregon me pamjen e tij, me sjelljet, me mënyrën si flet e si vishet. Atij, me sa duket jeta i ka dhuruar një vështrim ndryshe për realitetin dhe njerëzit, sepse të gjitha ato që i bëjnë përshtypje ditën, i shkruan në mbrëmje në një fletore duke përvijuar heshturazi, pa e ditur, unin e tij të dytë.
I riu Qosja kishte përshtypjen se përjetonte një botë krejt tjetër, të re, të bukur, me një ndjesi të ndritshme në shpirt. Por kjo dritë lumturie do të errësohej e do të shndërrohej në trishtim, kur një mbrëmje duke u kthyer nga një festë kushtuar flamurit shqiptar, arrestohet së bashku me katër shokë të tij prej Sigurimit të Brendshëm Shtetëror, me akuzën se kanë kënduar këngë nacionaliste. Ishte viti 1959. Kjo ngjarje, të cilën ai nuk mundi ta shlyente kurrë nga mendja, vulosi njëherë e përgjithmonë në vetëdijen e tij idenë se “liria” e shqiptarëve në Jugosllavi ishte e kërcënuar. Malro thoshte se jeta e njeriut nuk ndërtohet kronologjikisht, por janë ngjarjet e fuqishme ato që krijojnë një jetë. Tashti e më pas Qosja do t’i përkiste jo kohës së vet biologjike, por një kohe tjetër, asaj që lidhej me fatet kolektive të një populli pa liri. Kështu merr fund edhe koha parajsore e jetës së tij të shkujdesur.
Në vitin 1960 hapet Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës; Qosja arrin të regjistrohet duke realizuar kështu dëshirën e vet që nuk përputhej me atë të prindërve, e sidomos të babait. Shkolla e lartë shpalos një botë dijesh letrare e kulturore, të cilat i shtohen botës së tij me imazhe shkrimtarësh dhe tekstesh letrare. Është i ri, i shëndetshëm, i etur për dije si çdo universitar, por tek ai mugullon edhe vullneti i të shkruarit që, i pakristalizuar ende, iu jep krahë studimeve. Ndërkohë dashuria e tij platonike shndërrohet në dashuri të vërtetë. Ai e ndan jetën e tij romantike midis provave të para eseistike për letërsinë dhe dashurisë për zonjushën Shpresa Dobroshi, e cila vazhdon studimet e larta për anglisht. Mes tyre pasioni dashuror rritet. Ajo është shumë e bukur dhe krenare, trupvogël, një planet i ri që vërtitet pareshtur rreth diellit të saj, të zgjedhurit të zemrës. Jeta do ta vërtetojë çdo ditë pasionin e saj: ajo do ta dashurojë Rexhep Qosjen pambarimisht, deri në fund. Martesa me Shpresën do t’i sigurojë atij një mbështetje të madhe shpirtërore, të pazëvendësueshme në shumë momente të jetës së ardhshme si studiues, si shkrimtar dhe si intelektual i angazhuar për çështjen e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi.
Projektet e tij janë të mëdha, mbase edhe utopike për kushtet, por në mendje i parafytyrohet një e ardhme krijuese, e cila do të sublimojë disa subjekte që ai i ka të shtrenjta. Pasi merr diplomën (1964), Qosja e plotëson kulturën e tij me lexime dhe rilexime të autorëve shqiptarë të traditës e të autorëve klasikë botërorë, pa lënë pas dore autorët e shekullit XX. Njëkohësisht ai ka krijuar familjen e tij të re. Ditari tregon se ka ardhur në jetë edhe vajza e tij e parë: “2.1.66: Me Shpresën dhe me Violën jetojmë në një banesë, të cilën unë e quaj e vogël, kurse Shpresa: e mjaftueshme tash për tash. […] Banesa gjendet në një ndërtesë, të ndërtuar tani vonë, në lagjen afër Spitalit të Përgjithshëm” (Ditar I). Mbi një tryezë të zakonshme në dhomën e gjumit, në orët e vona tingëllojnë lehtazi tastat e Olimpias dhe vogëlushja doemos që zgjohet; e qara e saj bashkohet me zhurmën e shkronjave metalike. Çifti i ri detyrohet të shpërngulet pa humbur kohë në dhomën e pritjes, dhe ja ku Qosja i ri, i cili e pëlqen fort disiplinën e punës, krijon në mënyrë të papritur universin e tij me një bibliotekë që i shton librat çdo ditë. “2.1.66: Deri tash kam arritur të siguroj Mesharin e Buzukut, Çetën e profetënve të Pjetër Bogdanit, Milosaon dhe Serafina Topinë e Jeronim De Radës, Milin e Hajdhinë dhe Rapsoditë shqiptare të Zef Skiroit, Këngën e Sprasme të Balës të Gavril Darës të Riut, Luletë e Verësë, Istorinë e Skënderbeut, Qerbelanë, Mësimet dhe E këndimit të çunave këndonjëtoreja të Naim Frashërit, Introduktet, Albumin dhe përkthimet e Nolit – Don Kishotin, Hamletin, Jul Qesarin, Mbretin Lir, Makbethin, Zonja Ingra e Ostrotit, Armiku i popullit, romanin e Blasko Ibanezit […], Roze e spine, Bardha e Temalit […] të Vaso Pashës, Bëletën shqiptare të Thimi Mitkos, Valët e detit të Spiro Dines, vjershat e Ndre Mjedjes, Vaji i bylbylit, Lisus dhe Skodra, romanet e Sterjo Spasses, Pse dhe Afërdita, romanin e Foqion Postolit Lulja e kujtimit, romanet e Haki Stërmillit Sikur të isha djalë, Burgu, Kalorësi i Skënderbeut, përmbledhjet e vjershave të Lasgush Poradecit Vallja e yjve dhe Ylli i zemrës, romanin e Petro Markos, Hasta la vista, dhe romanin e Jakov Xoxës, Lumi i vdekur. Kam arritur të siguroj përmbledhjen e Asdrenit Ëndrra e lotë, por jo edhe Psallmet e murgut. Kam arritur të siguroj dramën e Sami Frashërit Besa, por jo edhe veprën e tij më të njohur, me të cilën është bërë shumë i çmuar dhe shumë i dashur në letërsinë dhe në politikën kombëtare shqiptare, veprën programatike Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë? Kam arritur të siguroj Lahutën e Malcis, Anzat e Parnasit dhe Gomarin e Babatasit të Gjergj Fishtës, por jo edhe dramat e tij. Kam arritur të siguroj historinë letrare të Gjuzepe Gradilones, Studime për letërsinë shqipe, por jo edhe libra të tij të tjerë. Kam arritur të siguroj librin e arbëreshit Vinçenc Dorsës Mbi shqiptarët – kërkime e mendime, por jo edhe përmbledhjen me studime historiko-letrare, Shkrimtarët shqiptarë, të botuar në Tiranë në vitin 1943, si as Historinë e letërsisë shqipe, të përgatitur prej një grupi autorësh dhe të botuar në Tiranë në vitin 1959. Po shkruaj për letërsinë e sotme, por po shkruaj edhe për letërsinë e traditës, në radhë të parë për letërsinë e Rilindjes Kombëtare dhe letërsinë ndërmjet dy luftërash botërore” (Ditar I).
Ai ka mbajtur ditar në Normale, si dhe gjatë kohës që punoi një vit mësues e më pas, por në fillim të vitit 1966 e ka kuptuar se duhet mbajtur ditar i ri. “4.1.1966: Çfarëdo që kam shkruar atëherë, tani më duket shumë naive. […] Sinqeriteti im i atëhershëm ishte sinqeritet djaloshari, kurse ky tani duhet të jetë sinqeritet mendor. Atëherë vajzat dhe dashuria ishin kuptimi i jetës sime. Tani kuptimi i jetës sime do të jenë idetë, mendimet – idealet. Dhe, shkrimet” (Ditar I). Kjo datë shënon një ndryshim epokal në jetën e tij. Ai fillon dialogun e vërtetë me unin e tij të thellë, me kohën dhe me kuptimet e saj të fshehura dhe na njeh me shtyllat kryesore, mbi të cilat do të mbështetet ligjërimi i tij i ardhshëm. Nis, kështu, ndërtimi i murit rrethues të veprës së tij, parateksti i saj i fuqishëm: “5.1.1966: Herë paradite – kur përgatis lajmet e mëngjesit e herë pasdite – kur përgatis lajmet e mbrëmjes, punoj në Radio Prishtinë […] Gjithë pjesën tjetër të ditës dhe pjesën më të madhe të natës e kaloj duke lexuar dhe duke shkruar” (Ditar I). Ai kërkon të shkelë në një rrugë të re dhe është e habitshme që, megjithëse është fillimi, gjërat nuk janë aspak të mjegullta në mendjen e tij.
1967-a është vit i suksesshëm: Qosja pranohet asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, por njëkohësisht ka botuar edhe librin e parë, një sprovë letrare, në të cilën përzihen kohërat e ligjërimit letrar me kohën e ligjërimit të ri kritik. Një vit më vonë, në studimet pasuniversitare në Beograd, ai ndjek leksione për teoritë letrare, për teknikën e punës shkencore, për historinë e estetikës e për çështje të tjera të letërsisë; në këtë periudhë del nga shtypi edhe libri i tij i dytë Dialogë me shkrimtarë (1968), që do të shënojë një hap të rëndësishëm në përpunimin e vetëdijes së tij kritike. Libri i tretë me titull Kritika letrare (1969), bëhet si të thuash fusha strategjike e studiuesit të ardhshëm. Në kohën e polemikave për vendin që zinte letërsia e re që zhvillohej në Kosovë, vazhdimësi e traditës kombëtare apo episod i veçuar, në një numër të revistës Gjurmime albanologjike (1967), ai pohon i sigurt: “Letërsia shqipe e Kosovës, me vlerat më të shquara, është vazhdim i kësaj tradite, posaçërisht i prirjeve të saj artistikisht më të vlefshme dhe, për arsye se shkruhet në gjuhën shqipe, është pjesë përbërëse e saj – e letërsisë kombëtare shqipe” (Vazhdimësi, Vepra I: 54).
Puna në Institut i ka hapur atij dyert e kërkimit shkencor me vlerat e reja të një pune të programuar. Meqenëse tashmë kishte botuar, ai i kapërcen shkallët e paradoktoratës dhe kalon drejt e në doktoratë, me një tezë për Asdrenin. Mbledhja e të dhënave për jetën dhe veprën e tij, e sjellin edhe në Shqipërinë e ëndërruar. Bashkëshortja, Shpresa, dëshironte të vinte edhe ajo, ashtu si shumë shqiptarë që jetonin në Kosovë apo gjetiu, por Shqipëria e mbërthyer në ideologjinë staliniste, ishte ende një mollë e ndaluar. “5.1.1970: U nisa për Tiranë. […] -Mirë se vjen profesor! – Mirë se vjen profesor! – Mirë se vjen profesor! Tre nëpunësit e Doganës shqiptare më urojnë mirëseardhje e unë ndiej nevojë ta vë dorën e djathtë në zemër që të mos e lë të më dalë prej gjoksit” (Ditar I).
Në Shqipëri, Qosja është i kënaqur për materialet që gjen në Bibliotekën Kombëtare dhe në Arkivin e Shtetit, mallëngjehet nga dashuria dhe mikpritja, por është i brengosur për varfërinë që nuk i ka shpëtuar syrit të tij. Ai ka shkuar më parë edhe në Bukuresht, ku veç të tjerash, është njohur me një dokumentacion të pasur në arkivin e Asdrenit. Megjithatë, gëzimi për të ardhur në Shqipëri, ishte i lidhur me motive të thella shpirërore, prandaj sa më shumë që afrohej dita e largimit, gjithnjë e më shumë e ndiente se pikëllimi po i bëhej pjesë e vetëdijes. Kur do të vijë koha që të hyjë lirisht në Shqipëri? Përse kemi mbetur viktima të historisë? A është e largët dita që Shqipëria, e bërë copë-copë nga historia, të bashkohet? Në mendimet e tij me shume pikëpyetje përplasen ëndrrat, dëshirat dhe një realitet i ftohtë. Me tri thasë libra e me gazeta shqip për Institutin Albanologjik, pas një muaji pune, ai merr rrugën e kthimit. I duket vetja si ai eremiti shpresëtar që ka braktisur ermitazhin. Në doganën e Malit të Zi thasët i kalon lehtë, por sado paradoksale që duket, prej Doganës së Prishtinës, ai mezi i nxjerr pas dy muajsh, vetëm falë një rastësie.
Netëve të vona, përshtypjet nga Shqipëria u bashkëngjiten kujtimeve që duhen hedhur në letër. Në Tiranë nuk ka shkruar qoftë edhe një fjalë, ngaqë dyshonte se sigurimi jugosllav mund ta mbikëqyrte. Qosja e rikrijon atë kohë me biseda, dialogë, njerëz, ngjarje, si të ishte autor i një vepre që kopjon fjalë për fjalë një tekst të përfunduar, pak a shumë një Pjer Menar, autor i Kishotit. Ai shkruan shumë për kujdesin e kolegëve shqiptarë që kërkimet e tij të shkonin mbarë; për profesorin Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të gjuhësisë e historisë, të cilit i bën një portret të gjallë; për vizitat në disa vende historike si dhe për takimet e njohjet me njerëz të ndryshëm. Por si ta arsyetonte qëndrimin e kolegëve të Tiranës për disa probleme lidhur me kritikën letrare, e cila e quante realizmin socialist të vetmen metodë krijuese e që si rrjedhim përjashtonte letërsinë e shkruar jashtë kufijve politikë të Shqipërisë ?
Mes bisedave të shumta ai nuk mund të harronte edhe fjalët e profesorit të tij të dikurshëm të frëngjishtes, në Normalen e Prishtinës, Zekeria Rexha, arratisur para njëmbëdhjetë a dymbëdhjetë vjetësh prej Jugosllavisë si persona non grata: “30.1.1970: […] Mua më kaloi jeta duke luftuar për kosovarët; atje duke i mbrojtur prej serbëve e këtu prej disa shqiptarëve të këtushëm” (Ditar I).

Në vitet ’70 Qosja është në kulmin e krijimtarisë. Disiplina shkencore jep frytet e veta dhe vepra e tij kurorëzohet me tituj të tjerë: Antologjia e lirikës shqipe (1970), është thyerje, krahasuar me ligjërimin e tij të mëparshëm. E pajisur me një ese hyrëse të gjatë, ajo përbën një vepër të mirëfilltë studimore për lirikën shqipe, e para e këtij lloji në letërsinë tonë. Tezën “Asdreni – jeta dhe vepra e tij”, për të cilën ka punuar në mënyrë të përqendruar, e mbron në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në mars të vitit 1971, me anëtarë jurie gjuhëtarë dhe historianë nga Shqipëria dhe Kosova dhe fiton titullin Doktor i shkencave filologjike.
Libri Kontinuitete (1972) me ese dhe studime për letërsinë shqipe trajton edhe vlerat estetike të krijimit, të hapura ndaj metodave moderne. Libri tjetër Asdreni – jeta dhe vepra e tij, i mbështetur në studimet për doktoratën, sjell një këndvështrim të ri ideoestetik duke e lidhur veprën me momente të rëndësishme të jetës, si elemente të pashkëputura të ligjërimit letrar. Po këtë vit ai zgjidhet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe bëhet kështu figurë e njohur, në një moshë që rrallëherë ndodh. I ftuar në Kongresin e Drejtshkrimit, në Tiranë, në vjeshtën e vitit 1972, Qosja vjen jo vetëm si autor i dalluar në zbatimin e gjuhës së njësuar, por edhe si studiues i letërsisë. Kështu universitari i shkëlqyer është transformuar shumë shpejt në një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të përtej kufirit.

Historia e mendimit të tij nuk mund të ndahet edhe nga vetëgjykimi, i cili ka nisur qysh në hapat e parë të punës krijuese. “1.12.1972: Në shkrimet që po botoj, në studimet historiko letrare, në prozën që jam duke shkruar, në ditarin që po mbaj e të cilin kush e di a do ta botoj për të gjallë a do të botohet vetëm mbas vdekjes sime, fjalët i kam të forta, shumë të forta, por nuk jam i sigurt nëse i kam të forta sa fjalët e shkruara edhe fjalët që flas dhe sjelljet që bëj. Nuk jam aspak i liruar prej kundërthëniesh që ma copëtojnë shpirtin. Dhe, si të jem i liruar? Ndoshta nuk do të lirohem kurrë. Mos do të thotë kjo se kurrë nuk do të jem intelektual në kuptimin që kësaj fjale shumë domethënëse i është dhënë në çaste vendimtare historike në Evropë? ” (Ditar I). Listës së librave u shtohen: Panteoni i rralluar (1973), në të cilin krahas analizës për të sjellë një gjykim estetik të veprave letrare, i bëhet edhe një kritikë e argumentuar realizmit socialist; Vdekja më vjen prej syve të tillë (1974), që është edhe romani i tij i parë, një shpërthim imagjinar i pastër, përvojë e një realiteti pa liri, por edhe një vërtetim se kjo gjini letrare është në jetë. Në Francë, djepi i shkollave dhe teorive letrare e artistike, është folur deri edhe për “vdekjen” e romanit. Si përgjigje, lëvizja Romani i ri, në vitet ‘60 e ‘70, e mëritur nga analizat psikologjike dhe rrëfimi tradicional, ka shfaqur prirjen për përshkrime objektive e të hollësishme të momenteve të përjetuara dhe për meditime. Janë eksperimentuar disa vepra prej shkrimtarëve Michel Butor (Mishel Bytor), Allain Robbe-Grillet, (Alen Rob-Grije) dhe Nathalie Sarraute (Natali Sarot), me ambicien “të krijohet një lëndë anonime si gjaku, një magma pa emër”.
Në romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë, duke iu larguar psikologjisë së “unitetit” të jashtëm, ai i kushton rëndësi formës së veçantë të kompozimit (13 tregime në një), me një unitet të brendshëm dhe me një ligjërim ndryshe. Ky libër, simbol i një akti profetik, qe si një vetëtimë në mot të kthjellët. Burokracia politike kosovare ishte e pakënaqur nga disa pikëpamje të autorit, që mund të përmblidhen në një fjalë: kundër. Le të kapërcejmë pak kohën, dhe të lexojmë shënimet e Ditarit më 30 dhjetor 1973: “Është ora 18. / […] / Bie telefoni. / Thërret një nëpunës i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror, tani e quajnë Sekretariati i Punëve të Brendshme. / […] / Më pyet: nëse unë jam kryeredaktor i “Jetës së Re?” / I përgjigjem shkurt: po. / Vazhdon të pyesë, si të isha në të ashtuquajturën bisedë informative, para tij […] / – A i ke me vete çelësat e zyrës së “Jetës së Re?” – Jo, i përgjigjem. Unë do të marr punën e kryeredaktorit të “Jetës së Re” prej Vitit të Ri, e viti i ri ende nuk ka filluar. / – Megjithatë, thotë, edhe pse nuk i ke ende çelësat, do të ishte mirë të vish deri këtu (në ndërtesën e Sekretariatit të Punëve të Brendshme) të bisedojmë” (Ditar I ). Pra, duan ta marrin në pyetje në atë vend “të mallkuar”, siç e quan Qosja. Historia që shkruhet në kujtesën kolektive të një populli “të ndaluar”, është skalitur fort edhe në shpirtin e tij krijues. Kjo ngjarje ia prish qetësinë, por nuk ia ndal vrullin. Dalin nga shtypi Shkrimtarë dhe periudha (1975), një vështrim historik (diakronik) i letërsisë shqipe; Anatomia e kulturës (1976), i pari studim sociologjik për kulturën.
Në vitin 1978 Qosja boton librin Mite të zhveshura, në të cilin përmbledh tri tekste dramatike. Dramaturgjia është një ligjërim i pazakonshëm që kërkon një gjuhë të mprehtë dhe një vërtetësi psikologjike të personazhit. Shtypi letrar e mirëpret këtë libër me titull simbolik. Midis librave të shumtë po dallohet qartë edhe një shkrimtar me shqetësime ekzistenciale. Botime të tjera e theksojnë edhe më identitetin e tij krijues. Me një zë ndryshe, ai vazhdon ligjërimin e tij historik, përurues, të qëndrueshëm. Qëllimi përfundimtar, gjysmë intuitiv, është një ndërveprim i teksteve mes tyre dhe lexuesit hipotetik. Këto vite të lulëzimit të personalitetit të tij intelektual, kanë formësuar edhe atdhetarin e përkushtuar.

Vitet ’80 janë vitet e heshtjes së tij sublime si shkrimtar. “5.6.81: Ka disa muaj që nuk po shkruaj” (Ditar III). Ky proces vetëdijesimi për të sakrifikuar unin fiksional ndaj një ideali të lartë, është veti e shkrimtarëve dhe mendimtarëve të mëdhenj. Alphonse de Lamartine (Alfons dë Lamartin), ndërsa doli në opozitë me regjimin perandorak, nuk shkroi poezi, por vepra historike e shoqërore dhe mes tyre edhe një histori të Zhirondinëve për t’i dhënë popullit “mësime të një morali të ri revolucionar”; Naim Frashëri e la mënjanë krijimtarinë letrare, kur iu përkushtua çështjes së shkrimit të librave për shkollat e para shqipe; Saint-John Perse (Sen Xhon Pers), nobelist, e ndërpreu aktivitetin letrar, sa kohë që përfaqësoi shtetin e tij si atashe kulturor në një ambasadë të huaj… Të mos harrojmë edhe shprehjen që përdori Teodor Adorno: “Çfarë poezie mund të shkruhet pas Aushvicit?”. Qosja e pa si u lanë me gjak rinor rrugët e Prishtinës në mars e prill të vitit 1981, jetoi me protestat e demonstratat që ishin zjarri i pashuar i lëvizjeve më të hershme në Kosovë, e ndjeu thellë dhunën shtetërore se si e shfaqi fytyrën e saj të egër ndaj një popullsie që dëshironte liri. Uni i tij letrar u ngurtësua. Iu kërkua të dënonte studentët. Nuk pranoi. U kërcënua se do ta shkarkonin si drejtor të Institutit Albanologjik. Nuk u tremb. Emri i tij bëhet subjekt i lakuar në sa e sa takime. Në institucione po zhvillohen takime urgjente, një fushatë e panjohur, e quajtur “deklarimi i intelektualëve” për demonstratat e studentëve. “13.4.1981: Mbahet mbledhja, e quajtur e 87-të, e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës.
Të gjitha gjykimet dhe vlerësimet për demonstratat e studentëve, nxënësve dhe të punëtorëve tanë janë të njëjta me ato në kumtesat e Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë […] por të përshkuara prej më tepër ndjenjash të papërmbajtura dhe të shprehura me gjuhë më dogmatike!
Gjithmonë të pushtuarit e gjykojnë dhe e dënojnë veten më ashpër se ç’i gjykon dhe ç’i dënon pushtuesi!
Kryetari i Kryesisë së Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, […] përpos të tjerash, tha: “Intelektualët duhet të deklarohen hollësisht në lidhje me këto demonstrata…” (Ditar III).
« Mosdeklarimi » i tij bën që, në fillimet e vitit 1982, më në fund ta shkarkojnë nga detyra e drejtorit, duke shtuar edhe masa të tjera si: ndalim i paraqitjes në publik, heqje e të drejtës së botimit, përjashtim prej këshillave dhe jurive… Ai “etiketohet” irredentist e nacionalist dhe si i tillë nuk lejohet të dalë as jashtë shtetit.
Për t’u larguar sa më shumë nga politizimet e skajshme, Qosja zhytet në studime të mëtejshme për letërsinë shqipe. Misioni i tij është i thellë, fisnik, thuajse i pakuptueshëm prej bashkëkohësve. A është zbërthyer si dhe sa duhet Letërsia e Rilindjes Kombëtare? Çfarë i ka sjellë kombit shqiptar ideologjia e saj? Përse u lidh ideali i saj me perëndimin? A është ajo periudha e parë e vërtetë e letërsisë shqipe? Këto pyetje, që rrinë zgjuar në vetëdijen e tij qysh me esetë, studimet dhe librat e viteve ’70 e me trajtesat për vëllimin e parë të Romantizmit, papritmas kthehen në urdhërime për përgjigje të shpejtë. Dhe ai i vihet me përkushtim kësaj pune të heshtur, vetëmohuese, të pamatshme, shkrimit të historisë së romantizmit shqiptar. Ky është gjesti më i madh shpirtëror, moral dhe estetik i tij. Thuajse një flijim. Letërsia që i mungon i shfaqet nëpër ëndrra dhe zhgjëndrra. Subjekte të panumërta librash lindin dhe vdesin pareshtur në imagjinatën e tij të turbulluar nga një pushtim psikologjik prej të huajit, por edhe nga një sjellje e habitshme e shqiptarëve që bashkëpunojnë zellshëm me “pushtuesin”. Kriza letrare, kuptohet, e ka përfshirë në mënyrë të pamëshirshme vullnetin e tij krijues. Një ndër romanet e tij të pashkruara, sipas Ditarit, do të përbëhej nga Tre inkuizitorët: fetar, politik, intelektual. Por subjektet janë vetëm shkëndija. Atij i duket se zhvillimet në Kosovë kanë mbetur në vend. Dhe, mendimi më i hidhur është, se koha për të shkruar letërsi, ka ikur përgjithmonë. Dyshime të tilla e rëndojnë pa masë trurin e tij të mbingarkuar. Është e qartë: ideja për barazinë kulturore në Jugosllavi ka qenë një parullë e zbrazët. Heshtjen mortore të shkrimtarit ai orvatet dëshpërimisht ta zëvendësojë me punë shkencore. “9.1.82: Shkruaj i shtrirë në dysheme. Nuk mund të rri në karrige”. “29.5.82: Nuk jam në gjendje të shkruaj as shtrirë” (Ditar IV).
Duke ia mbajtur “lakun në grykë” që të “diferencohet”, objektivi i fshehtë i burokracisë politike dhe kulturore të Kosovës ishte që ta detyronte të mos shkruante. “24.4.84: Punoj, punoj, por me vullnet disi të përgjysmuar” (Ditar V). Sidoqoftë, shpresa, kjo ndjenjë universale, e ushqen me energji për të vazhduar. Ligjërimi i tij bëhet pasqyrim i kuptimit të këtij realiteti të ashpër për t’u jetuar. Gjuha e shkruar përmes vuajtjes dhe dashurisë, është e vetmja rreze drite në atë mjedis të mjegulluar nga verbëria e lirisë së rreme. “29.4.1984: Bën ftohtë. Nuk dal në Institut, sepse nuk ka ngrohje. Punoj në shtëpi. Kështu, në shtëpi, ma ngrohin shpirtin Shpresa, Viola dhe Dita. Pa dashurinë e tyre do të mërdhija shpirtërisht” (Ditar V). Nga këta rreshta marrim vesh se përgjegjësia e tij si prind është shtuar ; në familjen e tyre ka ardhur në jetë edhe një fëmijë i dytë, por Shpresa, bashkëshortja e tij e përkushtuar, ka marrë përsipër ta lehtësojë nga shumë detyrime.
Për një kohë relativisht të shkurtër Qosja mbaron disa libra: Nocione të reja albanologjike (1983) me rreth 400 faqe; Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 1, 2, 3 (1984, 1986), me rreth 2000 faqe; Porosia e madhe (1986), me rreth 600 faqe. Kjo prodhimtari shkencore nuk pranohet lehtë as nga njohësit e fushës. Krijimtaria e tij e madhe, thuajse titanike, është shoqëruar me vuajtje që ia kanë shkaktuar së pari gjendja shëndetësore dhe së dyti pengesat e papërfytyrueshme të njerëzve të veshur me pushtet. Sido që të jetë, ai punon duke iu nënshtruar disiplinës së tij të përditshme: “25.6.1986: Afrohet mesnata. Ende jam në karrigen e tryezës së punës, në bibliotekë” (Ditar VI). Nuk është e thjeshtë ta mendosh këtë martirizim. Shkenca e vërtetë është kërkuese, e lodhshme, e pamëshirshme. Ndonjëherë Qosja hamendëson se ekziston një kundërligjërim që i del përballë për të shkatërruar ligjërimin e tij. Gjurmë të kësaj gjendjeje të rënë shpirtërore i gjejmë kudo: “8.2.87: Tani lumturinë e lypi: në imagjinatë. Jeta është ikje e vazhdueshme, e pandalshme nga lumturia” (Ditar VI).
Kurorëzimi i punës së tij intelektuale i detyrohet edhe jetës së ngrohtë e të qetë familjare : “ 16.5.1986: Mbahet mbledhja e Aktivit të Lidhjes së Komunistëve në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. […] Kur arrij në shtëpi ndiej se jam shumë i lodhur dhe shumë i dëshpëruar. – Sa herë kthehesh prej asaj Akademie kthehesh kështu i lodhur dhe i hidhëruar. Do të doja të mos ishe fare anëtar i saj, më thotë Shpresa […] Ato që thua a të thonë në Akademi harrohen e ato që shkruan nuk do të harrohen kurrë. Me dy duar i kap duart e saj, e ul në prehër e i them: – Ti je parajsa ime. Më përgjigjet me disa pika lotësh” (Ditar VI). Ai tregohet i kursyer në dhënien e hollësirave të tilla, megjithatë ato shfaqen herë pas here si xixëllonja në tunelin e pafund të kujtimeve dhe me ndriçimin e tyre lënë të shihet edhe më qartë udha nëpër të cilën ka ecur pa u ndalur, në kohë të mirë apo në stuhi, në dashuri apo në urrejtje, i kërcënuar apo i lirë, njëri prej korifenjve të kulturës sonë kombëtare.

Qosja shkruan për vetëdijesimin e shqiptarëve në çështjen e madhe të lirisë dhe të të drejtave kombëtare, por edhe për t’iu përgjigjur një zotimi të brendshëm që i bashkohet universit të tij ligjërimor: “13.1.1981: Në shkretëtirën e kulturës sonë tashmë jam bërë sorrë e bardhë […]”. Qysh në hapat e parë, kur po afirmohej si zë i veçantë dhe origjinal në kulturën shqipe, Qosja është parë me syrin e ngushtë të fisit a të lagjes, por ai nuk u përkiste as fisit e as lagjes. Rexhep Qosja i përkiste kombit! “12.2.1979: As mund të shkruaj, as s’mund të rri pa shkruar” (Ditar III). Ai e sheh qartë atë perspektivë dialektike të historisë shqiptare, sidomos pas plenumit të Brioneve: “Jo të gjithë krijuesit letrarë, artistikë e shkencorë, jo të gjithë intelektualët, ishin të vetëdijshëm për këtë fat që ua kishte dhuruar historia. Një numër i tyre, mjerisht shumë më i madh se ç’mund të merrej me mend, ishte i privuar prej atij mendimit parathënës për të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe për fatin historik të Kosovës” (Ditar I: 11). Sa e sa herë psikika e tij është tronditur fort nga rrethanat, përshkrimi i të cilave sado i fuqishëm që të jetë, nuk e arrin forcën e njëmendtë të asaj që ka ndodhur. “13.2.82: Më bëhet se dhoma ka hapur gojën të më gëlltisë. Ishte plot zëra, kurse tani duket e heshtur si varri. E unë i shtangur në kolltuk, shikoj në boshësi, por ende nuk arrij të mendoj kthjellët. Zot! Si të isha zgjuar në varr! Kam përshtypjen se një drojë prej vdekjes e paskam jetuar. Ndiej se jam si një humnerë e pafund në të cilën jehon vetëm dhembje e madhe, e madhe […]” (Ditar IV). Një pjesë e unitetit të tij vetjak i ngjan ndonjëherë një teatri absurd ku ai luan, por është, njëkohësisht, edhe spektator i rolit të vet. Ai mund ta ndiejë edhe sot atë pështjellim psikik të shkaktuar nga neveria për realitetin e instrumentalizuar. Mosdiferencimi i tij është përkthyer si qëndrim armiqësor.
Historia e Kosovës, gjithsesi, nuk ishte si më parë. Pozita e saj e re ka ngjallur pakënaqësi te forcat hegjemoniste serbe, të cilat i fshehin planet e tyre nacionaliste me teza si: “Pozita kushtetuese e KSA të Kosovës është çështje e RS të Serbisë” dhe se “Sovraniteti dhe shtetësia e krahinës pasqyrohet dhe realizohet nëpërmjet sovranitetit dhe shtetësisë së republikës”. Të drejtat e shqiptarëve fill pas demonstratave shihen me tjetër sy. Por kundërpërgjigjja: “Të gjithë shqiptarët jemi një! Bashkim!”, që u shqiptua me zë të lartë më 1 prill 1981, edhe pasi milicia kishte ushtruar terror të egër më 11 dhe 26 mars, tregoi se Kosova kishte nisur ta shihte të vërtetën në sy.
Opinioni ndërkombëtar e dënoi ashpër qëndrimin e milicisë ndaj protestuesve. Nëpër vende të ndryshme të Europës vazhdonin demonstratat paqësore në mbrojtje të shqiptarëve. Organizime ilegale, të udhëhequra nga atdhetarë të flaktë, pati në Kosovë dhe jashtë saj. Kështu, si edhe herë të tjera në histori, jeta e Kosovës hyri në rrugën e mundimeve e të gjakut. “2.1.1982: Nuk më rrihet në shtëpi. Dua ta shoh qytetin si duket ditën e dytë të këtij Viti të Ri. E shoh siç e pres: të zymtë!” (Ditar IV). Por, edhe pse ndjenja e lirisë është ndër ndjenjat më burimore të njerëzimit, në Kosovë kishte njerëz që ende nuk e dinin se përse dergjeshin nëpër burgje disa nga bashkëkombësit e tyre, përse kishte vrasje të fshehta; ata nuk e dinin nga vinin dhe ku shkonin, madje kishte edhe nga ata që i thoshin vetes turq, duke ngatërruar fenë me atdheun. Sigurimi serb kishte krijuar një klimë vrasjesh dhe terrori kudo, me qëllim që ta shuante përfundimisht çështjen shqiptare. Por atdhetarët e vërtetë nuk e mendojnë vdekjen përballë çështjes kombëtare. Edhe ai si albanolog i patjetërsueshëm që mbronte në shtyp të drejtën shqiptare, mund të ishte burgosur ose vrarë, por përveç rrethanave shoqërore e familjare, të cilat kanë ndikuar që herë pas here të zbutej ndonjë qëndrim i prerë, mund të flitet edhe për një vetëmbrojtje që ka fituar autoriteti përherë në rritje i emrit të tij. Jugosllavia i druhej opinionit ndërkombëtar. Qosja, në të vërtetë është gjendur i kërcënuar jo vetëm nga Serbët, por edhe nga vetë Shqiptarët: “29.1.82: Lexoj Edgar Morenin: Mbi kulturën dhe vdekjen. Asgjë interesante. […] Kam nevojë të lexoj tekste më të mençme për tema universale në mënyrë që të mund të ngrihem edhe më tepër mbi mjerimin e mbytur prej thashethemeve në jetën tonë” (Ditar IV).
Ai vëren se drejtësia dhe ndershmëria si parime bazë që udhëheqin një shoqëri, po e bjerrin vlerën përditë e më tepër. “21.1.82 : Mbyllem në vetmi […]” (Ditar IV). Gjithë pararendësit e shoqërisë i ka ndjekur një fatalitet i tillë në histori, dhe, Rexhep Qosja nuk bën përjashtim. Besimi dhe mirëkuptimi me sa duket janë zhbërë. “8.5.82: Durojmë të huajin, nuk e durojmë njëri-tjetrin” (Ditar IV). Burokracia politike ka frikë nga studentët. Ai lexon Sartrin dhe i duket një demon i arsyeshëm. Ku të gjejë ngushëllim. Platoni, i largohet me idealizmin e vet, Cervantes, Shakespare, Byron, Flaubert, Beckett, Frisch, Bataille, Lasgush Poradeci, Ionesco, Fuentes, Kawabata, Thomas Mann, Jean d’Ormesson… letërsi e mirëfilltë, por larg, sa larg! E vërteta e Kosovës është e tjetërllojtë, tragjike, e mbytur qysh në embrion! Disa vjet më vonë, në librin Tronditja e shekullit, ai do të shkruajë: “Tragjedia shqiptare ka filluar në terr!”

(Fusnotat i ka hequr redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bardhyl Mahmuti  Autorizimi i Dritan Goxhajt nga “grupi koordinues…