BETEJA E MBROSTARIT TË FIERIT NË GUSHT TË VITIT 1481, E DREJTUAR NGA GJON KASTRIOTI II

03 korrik 2026 | 19:12

Në pjesën veriore të qytetit të Fierit, mbi bregun e djathtë të rrjedhës së lumit Seman, ndodhet fshati Mbrostar, emri i të cilit, ndoshta në formën Prostar, mund të ketë një origjinë të hershme nga fjalët e vjetra të okupatorëve sllavo-serbo-bullgarë, që duhet t’i jetë vendosur këtij vendi gjatë periudhës së Mesjetës. Ky katund myzeqar, i vendosur rrëzë kodrave të bukura të Manastirit të famshëm të Ardenicës, ku dikur pranë tij kalonte edhe rruga perandorake Egnatia, hyri në histori dhe mbeti ndër shekuj një emër i nderuar, që edhe sot përmendet me respekt nga i gjithë kombi ynë.

Dy vjet pas disfatës së rëndë që pësoi ushtria e Skënderbeut në Berat, më 1455, populli myzeqar korri një fitore plotësisht të merituar kundër ushtrisë osmane më 1457, gjatë një beteje të famshme, duke çliruar qytetin e rëndësishëm strategjik-port të Pirgut, në grykëderdhjen e lumit Seman. Mbi brigjet plot pasuri të Semanit plak, që tashmë ishin shndërruar edhe në një teatër të njohur luftërash, përplasjet ushtarake të popullit të kësaj krahine me okupatorët turq nuk do të pushonin kurrë, nga një vit në tjetrin, për dekada e shekuj me radhë.

Siç dihet, ndarja e parakohshme nga jeta, në moshën 63-vjeçare, e heroit tonë legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më 17 janar 1468, ishte një humbje tepër e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për të gjithë kombin tonë. Përveç dhimbjes që la pas, ajo shkaktoi edhe pasoja të rënda në mbarëvajtjen dhe funksionimin e shtetit të Arbërisë. Gjatë kësaj periudhe tepër kritike, disa mbretëri perëndimore, aleate të njohura të Skënderbeut, si Venediku e të tjera, për interesa të caktuara politike dhe ekonomike, e ulën ritmin e luftës dhe hynë në marrëveshje me Perandorinë Osmane, duke e përkeqësuar edhe më shumë situatën e rënduar që po kalonte Shqipëria.

Të ndodhur në rrethana tepër të pafavorshme dhe pa kryefamiljarin e tyre, bashkëshortja e Skënderbeut, Donika (Andronika) Kastrioti, së bashku me djalin e saj 13-vjeçar, Gjonin, e patën mjaft të vështirë të jetonin në Shqipëri dhe emigruan në Napoli, së bashku edhe me disa princër të tjerë shqiptarë.

Mbreti Ferdinand I (Ferrante) i Napolit, si një aleat i madh i Skënderbeut, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje e priti me nderime të veçanta zonjën e parë të Arbërisë dhe shpurën e saj, duke i dhuruar prona të shumta dhe tituj të lartë mbretërorë. Fillimisht ajo u strehua në shtëpinë e arbërorit të mirënjohur napolitan Pietro Karlo D’Alessandro, ku nisi një jetë të re.

I larguar nga atdheu në moshë të re, Gjon Kastrioti II, duke ecur me guxim në rrugën e të atit, pasi u inkuadrua në strukturat ushtarake të Mbretërisë së Napolit, mendonte dhe punonte vazhdimisht për t’u kthyer sa më parë në Shqipëri, që ta çlironte atë nga vargonjtë e robërisë osmane me forcën e armëve, ashtu siç kishte bërë dikur edhe i ati, kur kishte braktisur Stambollin.

Gjon Kastrioti II (1456–1514), djali i Skënderbeut

Si një komandant ushtarak i zoti në ushtrinë napolitane, Gjon Kastrioti II mori pjesë dhe drejtoi një sërë luftërash e betejash kundër Perandorisë Osmane në ujërat e Mesdheut dhe në jug të Gadishullit Apenin.

Ndërsa ishte duke drejtuar me sukses luftimet kundër ushtrisë osmane në Otranto, një grup përfaqësuesish të luftëtarëve shqiptarë e takuan dhe i propozuan të kthehej në atdhe, për të organizuar e udhëhequr një kryengritje të përgjithshme antiosmane, me qëllim çlirimin e Shqipërisë. Ftesën ai e priti me një gëzim të veçantë.

Duke përfituar edhe nga interesat e mëdha që kishte në atë kohë Mbretëria e Napolit për hapjen dhe zgjerimin e fronteve të tjera të luftës kundër pushtuesve osmanë, Gjon Kastrioti II arriti më në fund të siguronte mbështetjen e fuqishme të mbretit Ferdinand. Ky i fundit jo vetëm që i pa me optimizëm këto plane për operacione ushtarake në Shqipëri, por shprehu edhe gatishmërinë për t’i përkrahur dhe ndihmuar ato.

Kështu, princi i ri i Arbërisë, duke ndjekur nga afër edhe situatën e favorshme politike të krijuar në Shqipëri, ku kishin filluar një sërë kryengritjesh antiosmane, së bashku me mjaft princër shqiptarë që ndodheshin në Napoli, si Kostandin Muzaka, Nikollë Dukagjini, Lekë Dukagjini e të tjerë, filloi përgatitjet për krijimin e një ushtrie të armatosur, me të cilën do të kthehej për të çliruar mëmëdheun e tij, që vuante ende nën robërinë osmane.

Pasi përfundoi të gjitha përgatitjet e nevojshme për një mision kaq të rëndësishëm ushtarak, në krye të një ushtrie të pajisur me armët më moderne të kohës, në përbërje të së cilës kishte edhe forca të zgjedhura napolitane, rreth muajit gusht të vitit 1481, me katër anije të mëdha të tipit galera, ai u nis në drejtim të Shqipërisë.

Si një drejtues ushtarak me përvojë, duke analizuar dhe vlerësuar drejt situatën, si edhe gjendjen dhe aftësitë e forcave osmane, ai vendosi të zbarkonte në dy zona ku ndodheshin vatrat më të nxehta të kryengritjeve: në Himarë dhe në Myzeqe, duke hapur njëkohësisht dy fronte sulmi.

Komandanti Gjon Kastrioti II, pasi përcaktoi se fronti më i rëndësishëm, por edhe më i vështiri, ishte ai i Krahinës së Myzeqesë, zbarkoi vetë në jug të Durrësit, pranë lumit Shkumbin, ndërsa princin e Beratit, Kostandin Muzakën, kushëririn e tij, me një pjesë të ushtrisë e dërgoi me katër galerat drejt Himarës.

Prej andej, së bashku me forcat e tij, mori rrugën drejt portit të Pirgut, në grykëderdhjen e Semanit, dhe prej aty, me varka të shpejta (gjemi), lundroi nëpër ujërat e këtij lumi. Në orët e vona të një mbrëmjeje mbërriti në fshatin Mbrostar, ku u dislokua me ushtrinë e vet në pyjet e dendura të kodrave të Ardenicës.

Populli myzeqar i kësaj treve, së bashku me luftëtarët kryengritës, e priti Gjon Kastriotin II me gëzim dhe entuziazëm të madh, si trashëgimtarin e ligjshëm të mbretit të tyre, Skënderbeut, dhe u bashkua menjëherë me forcat e tij, duke u bërë gati për të filluar betejën kundër ushtrisë osmane.

Gojëdhënat tregojnë se disa postëkomanda turke, që ndodheshin nëpër katundet përreth Mbrostarit, u asgjësuan shpejt, ndërsa një pjesë e tyre u larguan me shpejtësi gjatë natës drejt Beratit dhe Vlorës, për t’u mbrojtur nga sulmet e rrufeshme të fshatarëve, të cilat mund të ndodhnin në çdo çast.

Në këtë kohë, komandanti turk Sulejman Pashë Eunuku, i cili po përgatiste forcat osmane diku në periferi të Vlorës për të zbarkuar në Otranto, pasi mori njoftimin për ardhjen e Gjon Kastriotit II në Mbrostar të Myzeqesë, dërgoi me urgjencë një pjesë elitë të ushtrisë së tij drejt Fierit, për të sulmuar forcat kryengritëse shqiptare.

Gjon Kastrioti, i dislokuar pranë Ardenicës, në konsultim me drejtuesit e luftëtarëve myzeqarë, urdhëroi që një pjesë e vogël e ushtrisë së tij, së bashku me kryengritësit e kësaj krahine, t’u dilnin përpara forcave armike, duke u zënë pritë në ndonjë shteg të kodrave të Koshovicës dhe t’i sulmonin në mënyrë të befasishme, për t’i asgjësuar plotësisht pa mbërritur në Fier.

Por, fatkeqësisht, ndodhi ajo që nuk pritej. Për shkaqe të ndryshme objektive e subjektive, luftëtarët tanë nuk arritën ta përballonin sulmin e furishëm të forcave të mëdha osmane dhe pasojat qenë fatale. Shumë prej tyre u vranë, ndërsa një pjesë u kapën robër. Kjo humbje tepër e hidhur dhe kjo disfatë tragjike e lëkundën besimin e Gjon Kastriotit për ta vazhduar më tej kryengritjen dhe për të arritur sukses në realizimin e misionit të tij. Prandaj ai mendoi dhe vendosi të largohej nga Shqipëria e të kthehej përsëri në Napoli, pasi u këshillua edhe me prijësit myzeqarë.

Drejtuesit kryengritës të Myzeqesë nuk e miratuan aspak idenë e princit të tyre për t’u larguar i mundur nga atdheu. Përkundrazi, ata i ofruan një mbështetje të fuqishme, të paprecedentë, duke grumbulluar rreth tij shtatë mijë luftëtarë, të cilët u betuan rreth flamurit tonë kuqezi dhe ishin gati të jepnin jetën për Gjon Kastriotin II, krahinën e tyre dhe mëmëdheun.

Kjo forcë e jashtëzakonshme, kjo trimëri e rrallë dhe ky optimizëm i madh, që u shfaq te populli myzeqar në ato çaste tepër kritike, kur ishte i përgjakur dhe i mbushur me dhimbje, e bënë djalin e Skënderbeut të ndryshonte mendim dhe e motivuan të qëndronte krah atdhetarëve të tij, për të mbrojtur me heroizëm trojet e shenjta të gjyshit të tij të famshëm, Gjergj Arianitit.

I ndodhur në një situatë kaq entuziaste, ai u vu në krye të ushtrisë, ashtu siç i kishte hije birit të kryeprincit legjendar të Epirit e Maqedonisë (jo Arbërisë). Rreth mesit të muajit gusht të vitit 1481, pranë fshatit Mbrostar, Gjon Kastrioti II u ndesh në një betejë të madhe me ushtrinë osmane, të drejtuar nga bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pashë Eunuku.

Kryengritësit myzeqarë, së bashku me forcat e ushtrisë së Gjon Kastriotit, të udhëhequra me trimëri prej tij, në një luftë shumë të ashpër që zgjati disa ditë, arritën një fitore të shkëlqyer, duke shpartalluar plotësisht taborët e shumtë të asqerëve dhe nizamëve të Stambollit.

Ata gjithashtu liruan menjëherë edhe qindra shqiptarë të tjerë, të cilët ishin kapur robër në betejat e mëparshme, ndërsa vetë Sulejman Pasha i Rumelisë, si dinak që ishte, mundi të largohej fshehurazi nga beteja dhe shpëtoi pa u ndëshkuar nga luftëtarët tanë.

Gjon Kastrioti II (1456–1514)

Djali i Skënderbeut

Kjo fitore madhështore e këtij pinjolli të heroit tonë kombëtar mbeti një përmendore e gjallë në kujtesën dhe këngët e popullit myzeqar për shekuj me radhë, deri në ditët e sotme. Vargjet e një prej këtyre këngëve janë përafërsisht të njëjta me tri strofat e para të vjershës së mëposhtme, të shkruar enkas për këtë ngjarje historike të lavdishme.

Beteja e Mbrostarit e vitit 1481

(Po thonë mbreti prapë u ngjallë)

1.

Po thonë mbreti prap u ngjallë

U gëzuan shumë dhe mileti

Këtë behar dërgoi vet djalë

Me gjëmitë erdhi nga deti

2.

Se ç’na mbritën ca habere

Valët mbi Seman se ç’u nxinë

Pa bërë zhurmë, pa bërë potere

Varg gjemitë shkuan tërë qëndinë

3.

Mbushur plot me kordhëtar

Disa flisnin gjuhën tonë

Të gjithë trima e luftëtar

Iknin shpejt sikur qenë vonë

4.

Përpjetë lumit i janë ngjitur

Nëpër terr porsi komit

Në Mbrostar se ç’kanë mbërritur

Të gjithë zbritën nga gjemitë

5.

Menjëherë e dhanë kushtrimin

U bënë bashkë burrat e dheut

Për vatan tërë bënë betimin

U printe i biri i Skënderbeut

6.

Nisi shpejt me vrull beteja

Qe e ashpër dhe kësaj radhe

Në këmbë u ngritë tërë Myzeqeja

Se ç’u ndez një luftë e madhe

7.

Bini ore djemtë e Myzeqesë

Thërriste Gjoni i Kastriotit

Asnjë turk gjallë të mos mbesë

Por si i Ati, dikur që motit

8.

Në çdo anë shpatat krisën

Edhe gjaku mbuloi tokën

Turqit tërë ç’u lemerisën

Nëpër lum të mbronin kokën

9.

U mbush lumi plot me gjak

Sa u skuq ujët e Semanit

Sot or vëllezër morëm hakë

Dhe ne i dolëm zot vatanit

10.

Na shpëtoi ky Sul Pashai

Shumë dinak qe ujku i vjetër

Por me kokë prap do ti laj

Tërë gjynahet herën tjetër

11.

Ta dinë mirë gjithë turçelinjtë

Për ne trualli është i shenjtë

Dhe kësaj here osmanlinjtë

E paguan haraçin shtrenjtë

Th J. T

(Botuar në gazetën Epoka e Re).

Pas shpartallimit të ushtrisë së Sulejman Pashës në Mbrostar, e cila kishte si destinacion kryesor zbarkimin në portin e Otrantos, Gjon Kastrioti II i zgjeroi edhe më tej veprimet e tij ushtarake për çlirimin e qyteteve dhe kështjellave të tjera shqiptare.

Me forcat e tij ushtarake, të përforcuara edhe nga luftëtarët myzeqarë që iu bashkuan në Fier dhe që tashmë kishin një moral tepër të lartë, ai nisi marshimin triumfues nëpër kodrat bregdetare të Divjakës, kaloi lumin Shkumbin, çliroi fortesën e Vilë-Boshtovës dhe u drejtua për në vendlindjen e tij, Krujë, prej së cilës ishte larguar gati një dekadë më parë.

Sapo mbërriti pranë mureve të kalasë së lashtë legjendare, organizoi menjëherë rrethimin e saj dhe nisi betejën e tretë kundër ushtrisë osmane. Megjithëse luftimet zgjatën disa ditë dhe ishin shumë të ashpra, për shkak të fortifikimeve të fuqishme dhe terrenit të vështirë e tepër të thepisur, ai nuk arriti ta çlironte kështjellën.

Duke e lënë kalanë të rrethuar nga luftëtarët krutanë, Gjon Kastrioti II me ushtrinë e tij u kthye drejt jugut të Arbërisë dhe mori rrugën për në Himarë. Ndërkohë, një pjesë e ushtrisë së tij, nën drejtimin e komandantit të shquar Kostandin Muzaka, kushëririt të tij, kishte arritur të rrethonte dhe të sulmonte kalatë e Himarës dhe të Sopotit (Borshit). Lufta ishte aq e ashpër, sa trupat e garnizoneve turke, të udhëhequra nga gjenerali osman Sinan Pasha, ishin goditur rëndë dhe ndodheshin pranë dorëzimit.

Gjendja tejet e vështirë që u krijua për forcat osmane në viset jugore të vendit e detyroi Sulejman Pashën të nisej vetë, në krye të tre mijë asqerëve, nga Vlora drejt Himarës.

Mirëpo, gjatë rrugës, ai së bashku me ushtrinë e tij ra në një pritë të organizuar nga kryengritësit shqiptarë dhe forcat e tij u shpartalluan plotësisht. Mbi një mijë ushtarë mbetën të vrarë, ndërsa pjesa tjetër u kap rob, së bashku me bejlerbeun e Rumelisë, Sulejman Pashën. Sipas autorit, himariotët, në shenjë respekti, ia dorëzuan të gjallë Gjon Kastriotit II, i cili më pas ia dërgoi Mbretit të Napolit si trofe lufte.

Pas kësaj fitoreje të bujshme, më 31 gusht 1481, luftëtarët shqiptarë të Jugut, së bashku me forcat e Kostandin Muzakës, çliruan edhe kalatë e Himarës dhe të Sopotit (Borshit), duke i vënë ato nën kontrollin e tyre. Këto ngjarje patën një jehonë të madhe në mbretëritë perëndimore të kohës.

Kështu, përmbushja e misionit ushtarak të Gjon Kastriotit II në Arbëri, brenda një kohe të shkurtër, me fitoret e tij në Betejën e Mbrostarit, marrjen e fortesës së Vilë-Boshtovës, rrethimin dhe luftimet në kalanë e Krujës, kapjen rob të dy pashallarëve famëkeq turq (Sinan Pashës dhe Sulejman Pashës), si dhe çlirimin e kalave të Himarës e të Sopotit, e bënë atë një strateg të shquar ushtarak dhe një figurë të njohur të periudhës së Mesjetës së vonë.

Këto fitore të princit të ri shqiptar, të arritura në mëmëdheun e tij të pushtuar nga Perandoria Osmane, ndikuan edhe në triumfin e ushtrisë napolitane gjatë betejës për çlirimin e Kështjellës së Otrantos, më 10 shtator 1481, duke i dëbuar përfundimisht turqit edhe nga Italia.

Mbretëria e Napolit, duke ndjekur interesat e saj, megjithëse shqiptarët e ndihmuan në luftën kundër pushtuesve osmanë, në vitin 1483 lidhi një marrëveshje paqeje me Stambollin, duke i braktisur kryengritësit shqiptarë. Ky veprim u pasua edhe nga Venediku dhe shtete të tjera.

Megjithatë, Gjon Kastrioti II u kthye sërish në Shqipëri, në krye të një ushtrie, me një mision të ri ushtarak. Në afërsi të lumit Erzen ai u ndesh me forcat osmane dhe fitoi një tjetër betejë kundër tyre. Qëllimi i tij ishte çlirimi i Kalasë së Krujës, por, për arsye të ndryshme, nuk arriti ta realizonte këtë synim dhe u kthye në Napoli, për të mos u rikthyer më në atdheun e tij.

Me veprimtarinë dhe kontributin e këtij strategu të shquar ushtarak, i cili i kreu një shërbim të madh kombit shqiptar, sipas autorit nuk është marrë sa duhet historiografia shqiptare. Për pasojë, figura e tij mbeti në errësirë për shekuj me radhë dhe pak e njohur për popullin tonë.

Ky është një mëkat tjetër, jo i vogël, që, sipas autorit, kanë bërë historiografët tanë, të cilët jo vetëm që duhet të kërkojnë falje, por edhe të reflektojnë, duke u marrë seriozisht me këtë figurë të shquar ushtarake, që i bëri nder të gjithë kombit shqiptar, për ta vendosur në vendin që meriton.

Nuk është aspak ide e keqe që fshatit Mbrostar t’i hiqet ky emër, i cili, sipas autorit, është vendosur nga okupatorët serbo-bullgarë, dhe të quhet Gjon Kastrioti. Gjithashtu, pse jo, në qendër të tij të ngrihet edhe një bust ose një përmendore në nder të këtij princi shqiptar.

Nga:

Themi J. Tushe

New York, 4 korrik 2026.

created by Polish

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ANP “Adem Jashari” ka njoftuar se, duke filluar nga 3…