Abdixhikun partia e vet sërish e qet në peshore pas 2 muajsh

06 korrik 2026 | 12:22

Me shumicë thjesht-teknike para gjashtë muajsh Lumir Abdixhiku i mbijetoi votëbesimit në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjashtë muaj më vonë organi më i lartë i LDK-së do ta peshojë me votë (mos)besimin ndaj tij për të drejtuar këtë parti. Nacionale ka kuptuar që nënshkrimet prej 1/3 e delegatëve të LDK-së janë mbledhur për të vendosur në votë shkarkimin e Abdixhikut nga kryetarshipi i partisë.

Simbas Statutit të LDK-së, Kuvendi si organi më i lartë i kësaj partie, ftohet me grumbullimin e 1/3 të nënshkrimeve të delegatëve dhe ajo mbledhje mbahet brenda 60 ditësh nga shtrimi zyrtar i nënshkrimeve dhe ka autoritetin që me shumicë votash të zgjedh apo të largojë kryetarin. Ky zhvillim vjen pas rezultatit të dobët zgjedhor për të tretën herë me radhë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare, për çka konsiderohet se Abdixhiku ka shterruar mundësinë për të ngritur elektoralisht partinë. Abdixhiku në anën tjetër ka refuzuar çfarëdo kërkese për dorëheqjen e tij. “Jo mor’ çfarti,” tha ai në paraqitjen e tij të fundit televizive, duke shtuar se do të qëndrojë kryetar deri në zgjedhjet e brendshme të 2027-ës. “As mos t’i fërkojnë duart,” tha ai. Mbështetje ndaj Abdixhikut ka shprehur e rikthyera përmes tij, Vjosa Osmani, e cila i atribuoi merita të mëdha puneje si kryetar, duke u bërë thirrje edhe “ambiciozëve,” që të përgatiten për zgjedhjet e brendshme të 2027-ës.

“Mendoj që me vetë rikonfirmimin që Lumiri e ka marrë me 31 janar dhe me faktin që gjendemi në një moment tepër delikat për Kosovën, të gjithë duhet ta kemi reflektimin në këtë drejtim,” tha Osmani. “Çdo mospajtim duhet të reflektohet në momentin dhe vendin e duhur, dhe kjo është zgjedhjet e 2027; ulemi bashkë e shohim kush është më i miri,” shtoi ajo.

‘Mbijetimi’ i Abdixhikut në Kuvendin e janarit

Gjysmë votëbesim, gjysmë mosbesim. Lumir Abdixhiku pati arritur të rifreskojë legjitimitetin e vetes si drejtues i Lidhjes Demoktratike me votë jo dërmuese, por mbijetuese. 54% e organit më të lartë të drejtues të partisë së vet me shumicë teknike ia pati vazhduar mandatin e kryetarit deri në zgjedhjet e reja brendapartiake më 2027-ën. 46% patën kërkuar që ai të lëshojë karrigen e drejtuesit të partisë. Kjo skizmë (mos)besimi kishte ardhur si pasojë e tepojzës së madhe zgjedhore më 28 dhjetor të vitit të kaluar. Matematika zgjedhore për pesë vite kishte vazhduar të lëkundej në përpjestim të zhdrejtë: rritje e Vetëvendosjes, rënie e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe anasjelltas.

Abdixhiku pas votës së konfidencës, foli me ndjenja të përziera.

Për ‘përafrim’ të të pakënaqurve, dhe në rast të mospërafrimit, t’i falënderojë për shërbimin e tyre ndaj LDK-së. Fjala ishte për dy figura kyçe të LDK-së si Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti. Këta dy të fundit as s’ishin ngritë në këmbë për të, dhe kishin kërkuar largimin e parevokueshëm të Abdixhikut nga drejtimi i LDK-së dhe hapjen e garës brendapartiake. Bajrami kishte mbajtur edhe fjalim çasti kur Abdixhiku e pati nisur fjalimin e Kuvendit të LDK-së me thumba ndaj bashkëpartiakëve, që, sipas tij, i kanë thënë veç “lësho vendin”. “Jam e vetmja që i kam kërkuar publikisht kryetarit dorëheqjen pas rezultatit të 28 dhjetorit, rezultat i cili nuk mund të injorohet. Kam ofruar edhe dorëheqjen time”, pati thënë Bajrami gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, ku po vendosej për ofrimin e dorëheqjes së Abdixhikut. Ajo shtonte se rezultati i 28 dhjetorit “nuk mund të injorohet”, dhe rikujtonte se si ish-kryetari Isa Mustafa e kishte marrë përgjegjësinë në 2021, me dorëheqje të parevokueshme.

“Asnjëri nga ju nuk e përmendi faktin se si ka ardhur deri te marrja e mandatit të kryetarit Abdixhiku. Ka pasur një rezultat të rëndë zgjedhor në vitin 2021; Isa Mustafa e ka marrë përgjegjësinë, jo vetëm duke thënë se e merr përgjegjësinë, por ka dhënë dorëheqje duke mos kërkuar që dorëheqja e tij të votohet, ka shkuar në shtëpi dhe ne delegatët i kemi vazhduar punimet dhe kemi zgjedhur kryetarin e ri”, tha ajo.

Shumica ‘teknike’ e Abdixhikut

Lumir Abdixhiku qe konfirmuar si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 164 vota për dhe 136 kundër. Pas mbledhjes së kuvendit ai ishte lajmëruar me një postim në Facebook, ku deklaroi se “vota e lirë është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi.” “Demokraci maksimale! Jo si fjalë e madhe, por si akt përgjegjësie,” shkroi Abdixhiku, duke shtuar: “Sot nuk kemi arsye për triumf, por për vetëdije.” Ai theksonte se procesi zgjati mbi shtatë orë diskutimesh dhe “prodhoi demokracinë maksimale që një parti politike mund ta ketë.” Abdixhiku bënte thirrje për bashkim dhe u drejtua edhe atyre që janë larguar nga partia: “I bëj thirrje edhe njëherë, edhe ata të dëshpëruarit, të larguarit, të dorëhequrit të kthehen brenda shtëpisë së tyre politike.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha, ish deputet i Kuvendit të Kosovës Me…