Dy standarde në futboll? Shqiponja shqiptare dënohet, ndërsa simbolika vikinge festohet
Shkruan: Agron Hoti
Shqiptarët nuk kanë pushtuar asnjë popull në Evropë. Në anën tjetër, vikingët, për rreth 250 vjet, kryen sulme dhe pushtime të tmerrshme në pjesë të Anglisë, Irlandës, Skocisë, Francës dhe vendeve të tjera, duke lënë gjurmë të thella në historinë evropiane.
Megjithatë, në Kupën e Botës 2018, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri u dënuan nga FIFA pasi festuan fitoren ndaj Serbisë duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, pra simbolin e flamurit shqiptar. Edhe sot, ky gjest shpesh konsiderohet i papranueshëm në futboll dhe rrezikon të sjellë sanksione.
Në të njëjtën kohë, simbolika e vikingëve përdoret gjerësisht nga Norvegjia dhe tifozët e saj si pjesë e identitetit kombëtar, pa u shoqëruar me ndëshkime apo polemika të ngjashme.
Kjo ngre një pyetje të natyrshme: nëse një simbol kombëtar shqiptar konsiderohet provokues, pse atëherë simbolika që lidhet me vikingët – të njohur historikisht për ekspeditat e tyre ushtarake dhe pushtimet – trajtohet ndryshe?!
Mjafton të imagjinohet një festim me simbole vikinge në një ndeshje ndaj Anglisë, një vend që dikur u sulmua dhe u pushtua pjesërisht nga vikingët. A do të interpretohej ai gjest në të njëjtën mënyrë si u interpretua shqiponja e Xhakës dhe Shaqirit?! A i bie kjo që shqiptarët qenkan fajtorë pse s’paskan pushtuar popuj si vikingët?!
Këto janë pyetje që do të duhej të nxisnin debat në botë e sidomos te shtëpitë botërore të sportit mbi standardet e barabarta në sport dhe mënyrën se si interpretohen simbolet kombëtare në skena ndërkombëtare.



