Manchester City synon goditjen e madhe, përgatit ofertë prej 150 milionë eurosh për Viniciusin
Manchester City po përgatitet të bëjë një nga transferimet më të bujshme të afatit kalimtar të verës, duke synuar afrimin e yllit brazilian të Real Madridit, Vinicius Jr. Sipas raportimeve, klubi anglez është gati të paraqesë një ofertë prej 150 milionë eurosh për sulmuesin 25-vjeçar, duke synuar të përfitojë nga situata e paqartë rreth kontratës së tij me klubin madrilen.
Vinicius ka kontratë me Real Madridin deri në verën e vitit 2027, por ende nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin e saj. Kjo nënkupton se braziliani do të hyjë në dy vitet e fundit të kontratës pa një akord të ri, duke shtuar pasigurinë rreth të ardhmes së tij në “Santiago Bernabeu”.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, dëshiron ta blindojë sa më shpejt lojtarin, por negociatat thuhet se kanë ngecur për shkak të kërkesave financiare të sulmuesit.
Vinicius kërkon një pagë neto prej rreth 30 milionë eurosh në sezon për të firmosur kontratën e re, një shifër që drejtuesit e Real Madridit nuk janë të gatshëm ta pranojnë.
Pas dy sezoneve radhazi pa fituar titullin e Ligës Premier, drejtuesit e Manchester Cityt besojnë se skuadra ka nevojë për një tjetër yll botëror për të rikthyer dominimin në Angli dhe Evropë.
Trajneri Enzo Maresca, i cili ka marrë drejtimin e ekipit pas largimit të Pep Guardiolës, e konsideron Viniciusin përforcimin ideal për repartin ofensiv.
Në projektin e tij, braziliani do të formonte një treshe spektakolare së bashku me talentin francez, Rayan Cherki dhe sulmuesin norvegjez, Erling Haaland, duke krijuar një nga repartet sulmuese më të frikshme në futbollin evropian.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në vendimin e brazilianit është ardhja e Kylian Mbappes te Real Madridi. Me transferimin e francezit, Vinicius nuk konsiderohet më figura kryesore e projektit sportiv të klubit, ndërsa raportet sugjerojnë se ai nuk është plotësisht i kënaqur me rolin e ri brenda skuadrës.
Në Manchester City, braziliani do të kishte mundësinë të ishte sërish lideri kryesor i projektit, me lojën sulmuese të ndërtuar rreth shpejtësisë, driblimit dhe aftësive të tij krijuese. Sezonin e kaluar, Vinicius ka zhvilluar një tjetër edicion të shkëlqyer me fanellën e Real Madridit, duke regjistruar 22 gola dhe 14 asistime në 53 paraqitje në të gjitha garat. Këto statistika e konfirmojnë brazilianin si një nga sulmuesit më të mirë në botë dhe një objektiv për çdo klub elitar.
Mbetet të shihet nëse Manchester City do ta konkretizojë ofertën prej 150 milionë eurosh dhe nëse Real Madridi do të jetë i gatshëm të negociojë largimin e një prej yjeve të tij më të mëdhenj.



