Misini transferohet te Bayer Leverkuseni

09 korrik 2026 | 15:05

Lumbardha Misini do ta vazhdojë karrierën në Gjermani, pasi është transferuar te Bayer 04 Leverkusen. Klubi zviceran Servette FCCF ka njoftuar zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me klubin gjerman për transferimin e futbollistes nga Kosova.

Sipas njoftimit të Servettes, ky është transferimi më i madh në historinë e klubit, duke u bërë shitja më e rëndësishme e realizuar ndonjëherë nga skuadra zvicerane.

Misini i ishte bashkuar Servettes verën e kaluar nga klubi turk Trabzonspor dhe, gjatë një sezoni me fanellën “granate”, zhvilloi 25 paraqitje, duke lënë gjurmë me paraqitjet e saj dhe duke tërhequr vëmendjen e njërit prej klubeve më të mëdha të futbollit gjerman.

Transferimi te Bayer Leverkuseni përfaqëson një hap të madh në karrierën e futbollistes kosovare, e cila tashmë do të ketë mundësinë t’i dëshmojë cilësitë e saj në Bundesligën gjermane, një nga kampionatet më të forta të futbollit të femrave në Evropë.

Në klubin e ri, Misini do ta bartë fanellën me numrin 34, të njëjtin numër që e mbante Granit Xhaka te Bayer Leverkuseni në sezonin historik, kur klubi e fitoi titullin e parë në Bundesliga.

Ky transferim është një sukses i rëndësishëm jo vetëm për Lumbardha Misinin, por edhe për futbollin e Kosovës, pasi konfirmon rritjen e vazhdueshme të futbollisteve të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti,…