Lumbardh Dellova transferohet te Amedspori në Turqi
Lumbardh Dellova është zyrtarisht futbollist i Amedsporit.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi turk përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan Arbresh.info.
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës ka kompletuar transferimin te skuadra turke, e cila ka aktivizuar klauzolën e lirimit të tij.
Për t’i siguruar shërbimet e 27-vjeçarit, Amedspori i ka paguar CSKA Sofias 950 mijë euro, duke mbyllur kështu aventurën e Dellovës në futbollin bullgar pas një periudhe të suksesshme me klubin nga Sofja.
Dellova ka firmosur kontratë trevjeçare.
Te skuadra turke ai do të drejtohet nga trajneri shqiptar Besnik Hasi, teksa aty luajnë edhe dyshja tjetër dardane, Ermal Krasniqi dhe Florent Hasani.
“Klubi ynë ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me lojtarin e Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, i cili së fundmi luajti për CSKA Sofia, si pjesë e planifikimit të skuadrës sonë për sezonin 2026-2027.
27-vjeçari Lumbardh Dellova, i cili mund të luajë si mbrojtës qendror, mbrojtës i djathtë dhe mbrojtës i majtë, do të japë kontribute të rëndësishme në ekipin tonë me stilin e tij të gjithanshëm të lojës.
Ne e mirëpresim Lumbardh Dellovën në klubin tonë dhe i urojmë një karrierë të suksesshme me fanellën tonë jeshile dhe të kuqe”, është thnëë në njoftimin e klubit turk.



