Srebrenica – Një plagë që nuk mbyllet, një kujtesë që nuk shuhet

11 korrik 2026 | 09:00

(31 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë)

Ramadan Shkodra

Ka plagë që koha nuk i shëron kurrë. Srebrenica është njëra prej tyre. Edhe pas 31 vjetësh, korriku i vitit 1995 vazhdon të rëndojë ndërgjegjen e njerëzimit dhe të kujtojë dështimin e botës për të mbrojtur jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm.

Në këto ditë përkujtimi, mendimet dhe zemrat tona janë me nënat e Srebrenicës, me familjet që ende kërkojnë eshtrat e më të dashurve të tyre dhe me mbarë popullin boshnjak, i cili mbart dhimbjen e një prej tragjedive më të mëdha të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Mbi tetë mijë burra dhe djem boshnjakë u ndanë me forcë nga familjet e tyre dhe u ekzekutuan mizorisht nga forcat serbe të udhëhequra nga Ratko Mladić, në një zonë që ishte shpallur e sigurt dhe që duhej të mbrohej nga bashkësia ndërkombëtare. Ajo që ndodhi në Srebrenicë nuk ishte vetëm një masakër. Ishte gjenocid – një krim i planifikuar, i organizuar dhe i kryer me synimin për të shfarosur një popull vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike dhe fetare.

Srebrenica na mëson se urrejtja, nacionalizmi ekstrem dhe politika e mohimit të tjetrit, kur shndërrohen në ideologji shtetërore, prodhojnë tragjedi që lënë plagë të pashërueshme për breza të tërë. Ajo është dëshmi se civilizimi nuk matet me deklarata, por me aftësinë për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe lirinë e njeriut.

Ne shqiptarët e kuptojmë dhimbjen e popullit boshnjak, sepse edhe populli ynë u përball me të njëjtën politikë të urrejtjes, spastrimit etnik dhe dhunës shtetërore gjatë viteve ’90. Atë që regjimi i Milloshevićit, Karaxhićit dhe Mladićit e realizoi në Srebrenicë, u përpoq ta realizonte edhe në Kosovë. Fatmirësisht, falë rezistencës së popullit shqiptar, sakrificës së tij dhe ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare, ai plan nuk arriti përmasat tragjike që mori në Bosnje e Hercegovinë. Megjithatë, plagët e të dy popujve mbeten një kujtesë e përhershme për pasojat e politikave kriminale.

Edhe sot, 31 vjet më vonë, kujtimi i Srebrenicës është më shumë se një përkujtim i së kaluarës. Ai është një thirrje për drejtësi, për mbrojtjen e së vërtetës dhe për refuzimin e çdo përpjekjeje për relativizimin apo mohimin e gjenocidit. Pa pranimin e së vërtetës nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm dhe pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të vërtetë.

Srebrenica nuk duhet të harrohet kurrë. Ajo duhet të jetojë në kujtesën tonë si një paralajmërim se heshtja përballë së keqes e fuqizon atë dhe se mbrojtja e dinjitetit njerëzor është përgjegjësi e secilit prej nesh.

Në këtë 31-vjetor jemi me nderim e ndërgjegje para kujtimit të mbi tetë mijë viktimave të pafajshme të gjenocidit në Srebrenicë. Shprehim solidaritetin dhe dhembshurinë tonë për nënat e Srebrenicës, për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin boshnjak. Dhimbja e tyre është një kujtesë e përhershme për njerëzimin dhe një obligim moral për të mbrojtur të vërtetën, drejtësinë dhe paqen.

Ruajtja e kujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë ështënderimi më i madh që mund t’u bëjmë jetëve të pafajshme tëhumbura dhe një obligim i përhershëm njerëzor për të mos lejuarqë krime të tilla të përsëriten më kurrë. Qoftë i përhershëmkujtimi i tyre!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deklaratë historike e ka cilësuar fjalën që ish-presidenti Hashim Thaçi…