Refuzoi kontrollin në Vërmicë, Dogana nis procedurë kundërvajtëse ndaj tij

13 korrik 2026 | 16:39

Një shtetas i huaj është përballur me procedurë kundërvajtëse pasi nuk iu bind urdhrit të zyrtarëve doganorë për kontrollin e automjetit në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, gjatë kontrolleve rutinë në hyrje të vendit, drejtuesi i një automjeti me targa të një shteti fqinj deklaroi se nuk kishte mallra për t’i deklaruar. Megjithatë, zyrtarët doganorë kërkuan hapjen e bagazhit për një kontroll fizik, bazuar në procedurat dhe kompetencat ligjore.

Në vend që të bashkëpunonte me autoritetet, drejtuesi i automjetit refuzoi urdhrin dhe u largua nga pika kufitare pa iu nënshtruar kontrollit. Dogana bëri të ditur se, falë koordinimit të shpejtë me Policinë Kufitare të Kosovës, personi u identifikua dhe ndaj tij u iniciua procedurë kundërvajtëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas autoriteteve, refuzimi i zbatimit të urdhrit të ligjshëm të zyrtarit doganor sanksionohet me gjobë që varion nga 300 deri në 3,000 euro, varësisht nga rrethanat e rastit dhe dispozitat ligjore në fuqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Rahovec u është…