Rudari: Qendra e Studentëve mirëpret studentët ndërkombëtarë, numri i tyre po rritet çdo vit

14 korrik 2026 | 11:55

Drejtori i Qendrës së Studentëve (QS), Ekrem Rudari, ka thënë se institucioni që ai drejton i shërben Universitetit të Prishtinës dhe zbaton çdo kërkesë që vjen nga Rektorati, duke ofruar akomodim dhe kushte edhe për studentët ndërkombëtarë që vijnë në kuadër të programeve të universitetit.

Rudari në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se që nga paslufta, Universiteti Veror është organizuar vazhdimisht në bashkëpunim me Qendrën e Studentëve, ku studentë nga vende të ndryshme të botës qëndrojnë për dy javë.

“Qendra e Studentëve i shërben Universitetit të Prishtinës dhe çdo kërkesë që vjen nga Rektorati, ne e pranojmë. Kjo ndodh që nga paslufta; Universiteti Veror vazhdimisht ka ardhur në Qendrën e Studentëve, me studentë nga mbarë bota. Ata kanë një lloj semestri, si të themi, dhe qëndrojnë te ne për dy javë. Ne u shërbejmë me ushqim, me fjetje dhe me të gjitha kushtet që kemi, përfshirë edhe sallat e leximit (leximoret). Pastaj, ata i mbajnë ligjëratat nëpër fakultete të ndryshme”, tha Rudari për Ekonomia Online.

Ai ka bërë të ditur se edhe studentët e huaj që studiojnë në Universitetin e Prishtinës akomodohen në konvikte gjatë gjithë vitit akademik, ndërsa, sipas tij, ata janë shprehur vazhdimisht të kënaqur me kushtet dhe mikpritjen që u ofrohet.

“Po ashtu, studentët që studiojnë nga mbarë bota në Universitetin e Prishtinës, i pranojmë në konvikte dhe ata qëndrojnë gjatë tërë vitit. Ne i kemi pyetur vazhdimisht: ‘Si është puna? A ju pëlqen? A keni ndonjë mangësi? A keni ndonjë problem me ndonjë nga studentët tanë?’. Ata janë shumë të kënaqur, sepse studentët tanë janë të mirë dhe shumë të shoqërueshëm. Ne e kemi pak si traditë t’i presim mirë studentët apo mysafirët që nuk janë nga Kosova. I presim shumë mirë, por edhe studentët tanë i kanë pritur shkëlqyeshëm. Janë ndarë shumë të kënaqur dhe kanë krijuar shoqëri të mirë me ta”, tha ai.

Rudari ka folur edhe për procedurat e pranimit të studentëve ndërkombëtarë dhe atyre mbarëkombëtarë në konvikte.

“Po, aplikojnë edhe ata. Për ta nevojitet vetëm aplikimi dhe pranohen. Gjithashtu, kemi çdo herë studentë mbarëkombëtarë nga trevat: Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Të gjithë këta vetëm aplikojnë dhe pranohen. I kanë 30 pikë automatikisht”, u shpreh ai.Sipas tij, interesimi i studentëve të huaj për të studiuar në Universitetin e Prishtinës është në rritje.“Po, vijnë, dhe vazhdimisht kemi rritje. Vitin e kaluar kemi pasur mbi 10 studentë vetëm në Juridik. Kemi studentë nëpër fakultete të ndryshme nga Spanja, nga Egjipti dhe nga shumë vende të tjera”, tha Rudari për Ekonomia Online.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se Njësia A4…