Media hungareze: Peter Magyar mund t’i shkaktojë një tjetër humbje Aleksandar Vuçiqit
Gazeta hungareze Nepszava shkruan se zhvillimet rreth Trupit Rregullator për Media Elektronike (REM) në Serbi mund t’i sjellin një goditje të re presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa përmend edhe ndikimin e politikës hungareze në betejën për kontrollin e medias.
Sipas gazetës, presioni i Bashkimit Evropian për funksionalizimin e REM-it ka detyruar autoritetet në Beograd të ndërmarrin hapa, por qeveria serbe nuk ka treguar gatishmëri reale për të garantuar një funksionim të pavarur të këtij institucioni.
Pas një bllokade të gjatë dhe dorëheqjeve të disa anëtarëve të pavarur, disa prej tyre kanë vendosur të rikthehen në Këshillin e REM-it, duke e bërë sërish të mundur funksionimin e tij.
Nepszava vlerëson se ky zhvillim mund të ndikojë në balancën e forcave në skenën mediatike serbe, veçanërisht nëse anëtari i nëntë i REM-it do të zgjidhet nga një figurë që nuk i bindet linjës së pushtetit në Beograd.
Gazeta thekson se një rol të rëndësishëm në këtë proces mund të ketë Peter Magyar, lideri i opozitës hungareze, i cili sipas saj mund të ndikojë në ndryshimin e raporteve politike edhe në Serbi.
Sipas analizës, zgjedhja e anëtarit të ardhshëm të REM-it mund të bëhet vendimtare, pasi një kandidat i afërt me qasjet e Magyarit do të mund të dobësonte ndikimin politik të aleatëve të Viktor Orbanit dhe të ndryshonte situatën në fushën e medias në Serbi.
Gazeta gjithashtu kritikon gjendjen e mediave serbe, duke theksuar se një pjesë e madhe e tyre janë kthyer në mjete për përplasje politike dhe personale, ndërsa REM për vite me radhë ka funksionuar në mënyrë joefikase.



