Temperaturat e larta rrisin rrezikun nga zjarret, Zeka me apel për qytetarët
Ish-komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, sidomos gjatë periudhës kur rreziku për zjarre është më i lartë.
Zeka në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova ka thënë se shpeshherë zjarret shkaktohen nga pakujdesia e qytetarëve, edhe pse në shumicën e rasteve nuk ka qëllim për të shkaktuar dëme.
“Qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Shpeshherë, edhe pse jo me qëllim, nga pakujdesia bëhen veprime në pronat e veta apo ato të shtetit që më pas ndikojnë negativisht edhe në punën e zjarrfikësve”, ka thënë Demolli.
Sipas tij, për zjarrfikësit sfida më e madhe paraqitet gjatë intervenimeve në ambiente të mbyllura, si banesa dhe depo, ku rreziku është më i madh për shkak të pasigurisë se me çfarë mund të përballen ekipet.
“Rreziku më i madh është në zjarret e brendshme, sepse nuk dihet se çfarë gjendet brenda objektit. Në zjarret malore dhe fushore, në shumë raste ekzistojnë mundësi për ndërprerjen e përhapjes së zjarrit, por edhe aty duhet shumë kujdes, sidomos kur ka erë”, ka deklaruar ai.



