Bekë Osmonaj kujton heroin Muharrem Tafaj: 28 vite pa mikun tim, oficerin e pavdekshëm të Policisë Shqiptare

16 korrik 2026 | 15:40

Në 28-vjetorin e rënies heroike të oficerit të Policisë Shqiptare, Muharrem Tafaj, ish-ushtari i UÇK-së dhe pjesëmarrësi i Betejës së Koshares, Bekë Osmonaj, ka ndarë një kujtim prekës për mikun e tij dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ai dha gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Osmonaj kujton se në fillim të prillit të vitit 1998 pati fatin të qëndronte në konakun e familjes Tafaj në fshatin Viqidol të Tropojës, gjatë furnizimit me armë për frontin e luftës në Kosovë.

“Edhe në kalimet e mëvonshme të kufirit nga Isniqi për në Tropojë, gjatë muajve prill, maj, qershor, korrik dhe shtator 1998, kjo familje, si shumë familje të tjera patriotike të Tropojës, u bë strehë e luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kishin vetëm një qëllim – çlirimin e Kosovës”, shkruan ai. Sipas Osmonajt, Muharrem Tafaj, megjithëse mbante uniformën e Policisë Shqiptare, dha një kontribut të çmuar në mbështetjen e luftës, duke organizuar pritjen dhe sistemimin e luftëtarëve, si dhe duke siguruar kalimin e tyre drejt Kosovës nëpër rrugë të sigurta, të vëzhguara paraprakisht prej tij. Ai rikujton se, pas mesit të muajit maj 1998, falë mbështetjes së Muharrem Tafajt dhe familjes së tij, në Viqidol u vendos pika furnizuese e Ministrisë së Mbrojtjes, për të cilën ishte përgjegjës Zenun Idrizaj nga fshati Strellc i Deçanit.

Po në këtë bazë, në fund të majit dhe fillim të qershorit 1998, u sistemuan oficerët e parë, të cilët më vonë, pas formimit të brigadave në Papaj dhe betimit të tyre më 21 qershor 1998, hynë në Kosovë. “Pa ndihmën dhe këmbënguljen e Muharremit do të kishte qenë e pamundur të vendosej baza e sigurt në fshatin Viqidol. Për këtë jam dëshmitar i kohës”, thekson Osmonaj. Muharrem Tafaj ra heroikisht më 16 korrik 1998, së bashku me eprorin e UÇK-së, Qazim Jakupi, babai i këngëtares Leonora Jakupi. Në fund të përkujtimit të tij, Bekë Osmonaj shpreh nderimin për mikun e tij të ndjerë me fjalët: “Lavdi dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i mikut tim të paharruar! Lavdi Dëshmorëve të Kombit!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi kryeqytetas, Prishtina, ka zyrtarizuar transferimin e Assane Diattas, duke…