Hovenier: Kosova rrezikon ta humbasë besimin e SHBA-së, duhet të veprojë
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar se ngërçi politik në Prishtinë po dëmton pozitën e Kosovës në raport me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier ka thënë se Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj strategjike pa institucione të qëndrueshme.
“Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me kërcënimin e zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar Hovenier.
Ai ka vlerësuar se përgjegjësia për situatën aktuale duhet të ndahet mes partive politike, duke kërkuar që liderët të gjejnë një rrugëdalje për krijimin e institucioneve funksionale.
“Ata duhet të krijojnë një qeveri të re, të zgjedhin presidentin dhe t’u ofrojnë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë një bashkëbisedues të besueshëm dhe legjitim”, ka thënë ai.
Hovenier ka përmendur si shqetësim të veçantë pezullimin e Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, ndërsa ka theksuar se Serbia do të nisë një proces të tillë me Uashingtonin.
“Nuk është sekret se marrëdhënia me administratën e presidentit Trump nuk është në nivelin e dëshiruar. Treguesi më i qartë është fakti se Dialogu Strategjik me Serbinë do të nisë më 17 korrik në Uashington, ndërsa nuk ka pasur asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka deklaruar Hovenier.
Sipas tij, Kosova duhet të adresojë shqetësimet e SHBA-së për energjinë dhe çështjet që lidhen me komunitetin serb.
“Nëse po përpiqesh të ndërtosh një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, do të ishte gjë e mençur t’i përgjigjeshe pozitivisht disa prej kërkesave dhe diskutimeve që vijnë nga Uashingtoni”, ka thënë ai.
Ish-ambasadori amerikan ka paralajmëruar se koha nuk është në favor të Kosovës.
“Mendoj se Kosova rrezikon ta humbasë besimin nëse dështon të veprojë. Vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafundme”, ka deklaruar Hovenier.
Ai ka shtuar se Kosova duhet të shfrytëzojë mundësitë për bashkëpunim me SHBA-në.
“Është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, ka përfunduar Hovenier. REL



