Rehabilitohen pesë vagonë të “Trainkos” në vlerë prej 423 mijë euro

17 korrik 2026 | 16:05

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e shoqëruar nga zëvendësministrat Getuar Mjeku dhe Triera Kasumi Berisha, anëtarët e Bordit të “Trainkos”, si dhe Kryeshefi Ekzekutiv, Agron Statovci, kanë udhëtuar me tren nga Prishtina në Pejë, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të transportit hekurudhor dhe investimeve në këtë sektor.

Ky udhëtim u realizua me rastin e prezantimit të pesë vagonëve të udhëtarëve, të cilët janë riparuar plotësisht me mbështetjen financiare të Ministrisë së Ekonomisë, ku secilit vagon i zgjatet jetëgjatësia operacionale për rreth 800 mijë kilometra shtesë, duke përmirësuar ndjeshëm sigurinë, besueshmërinë dhe cilësinë e shërbimit për udhëtarët.

Me këtë rast, ministrja Rizvanolli theksoi rëndësinë e zhvillimit të transportit hekurudhor dhe investimeve në këtë sektor dhe njoftoi se “Trainkos” ka vënë në funksion pesë vagonë të riparuar me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë në vlerë prej 423 mijë euro.
“Ky investim tregon përkushtimin tonë për të ofruar një transport publik më modern, më të sigurt dhe më efikas për të gjithë qytetarët”, tha ajo.

Nga ana tjetër, kryeshefi ekzekutiv i “Trainkos”, Agron Statovci, vuri në dukje progresin e dukshëm operacional dhe financiar të ndërmarrjes, ku prej vitit 2021, kostoja e shërbimit është zvogëluar me 55.96%, shërbimet operative prej 79.09%, kurse të hyrat kanë shënuar një rritje prej 54.16%.

Vënia në funksion e këtyre vagonëve të rehabilituar do të rrisë kapacitetet transportuese, do të përmirësojë cilësinë dhe komoditetin e shërbimeve publike, si dhe do të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin e mëtejshëm të rrjetit hekurudhor në vend.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prani të shumë personaliteteve publike, akademike e kulturore, bashkëveprimtarëve…