Kusari-Lila priti delegacion amerikan, diskutohen mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë – SHBA

17 korrik 2026 | 16:18

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Gegë Lleshi, mirëpriti në Kosovë një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Delegacioni përbëhej nga Dustin Edward Plantholt, Fadi Elsalameen, William McClure, Doru Borșan, Riad Bouaziz dhe Lisa Corsa, të cilët sjellin përvojë të gjerë profesionale në fushat e teknologjisë, inovacionit, transformimit digjital, biznesit, administratës publike, qeverisjes lokale, sigurimeve, turizmit, shëndetësisë, si dhe politikës së jashtme dhe çështjeve strategjike.

Gjatë takimit u vlerësua se shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës ndërmjet këtij delegacioni, institucioneve dhe bizneseve në Kosovë mund të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, partneritete dhe tërheqjen e investimeve amerikane në këta sektorë, si dhe në fusha të tjera me potencial për vendin.

Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila shprehu mirënjohjen institucionale dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetndërtimit dhe zhvillimit demokratik.

Ajo theksoi se partneriteti ndërmjet dy vendeve po merr gjithnjë e më shumë një dimension ekonomik, me fokus në investime, inovacion dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ministrja prezantoi gjithashtu prioritetet e Qeverisë për transformimin e ekonomisë së vendit, përmes rritjes së prodhimit vendor, fuqizimit të eksporteve të produkteve “Made in Kosova”, zhvillimit të parqeve industriale dhe teknologjike, mbështetjes së sektorit privat dhe krijimit të një mjedisi edhe më të favorshëm për investitorët e huaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës morën pjesë në…