Prishtina zyrtarizon Agron Rufatin, qendërmbrojtësi i bashkohet bardhekaltërve në Turqi
FC Prishtina ka zyrtarizuar transferimin e qendërmbrojtësit Agron Rufati, i cili tashmë i është bashkuar skuadrës në Bolu të Turqisë, aty ku ekipi po zhvillon fazën përgatitore në prag të sezonit të ri.
Mbrojtësi 27-vjeçar vjen te bardhekaltrit me një përvojë të pasur ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij ai ka luajtur për ND Gorica në Slloveni, NK Istra në Kroaci, Zorya Luhansk në Ukrainë, Academia Clinceni në Rumani, Brera Strumica në Maqedoninë e Veriut dhe së fundmi për Dynamo City në Shqipëri.
Rufati është produkt i akademisë së njohur të Dinamo Zagrebit, ku ishte pjesë e ekipeve U17 dhe U19, ndërsa ka përfaqësuar edhe Maqedoninë e Veriut me grupmoshat U19 dhe U21.
Pas zyrtarizimit, mbrojtësi u shpreh i lumtur për transferimin te Prishtina, duke e cilësuar klubin si më të madhin në Kosovë.
Ai falënderoi drejtuesit për besimin e dhënë dhe premtoi se do të japë maksimumin në çdo stërvitje dhe ndeshje për të mbrojtur me krenari fanellën bardhekaltër.
Rufati theksoi se është i vetëdijshëm për peshën dhe përgjegjësinë që mbart fanella e Prishtinës, ndërsa shtoi se synimi i tij është të ndihmojë ekipin në arritjen e objektivave dhe fitimin e trofeve.
Klubi e ka mirëpritur futbollistin me mesazhin: “Mirë se erdhe në shtëpinë tënde të re, Agron! Të urojmë shumë suksese me fanellën bardhekaltër.”



