Ballkani e fiton me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Vushtrrisë
Ballkani e ka fituar me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen ndaj Vushtrrisë, ashtu siç pritej.
Të mërkurën, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), përmes Komisionit të Garave, ka bërë të ditur vendimin për ndeshjen që nuk u zhvillua.
Futbollistët e Vushtrrisë e bojkotuan përballjen për shkak të moskryerjes së obligimeve nga kryesia e klubit dhe nuk dolën në fushë për ta zhvilluar ndeshjen e xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll ndaj Ballkanit të Suharekës.
Dueli Vushtrria – Ballkani ishte paraparë të zhvillohej në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, por ndeshja nuk u luajt.
“Duke pasur parasysh gjendjen faktike të konstatuar dhe detyrimin për zbatimin e rregullave që përcaktojnë zhvillimin e rregullt të garave, Komisioni ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet për regjistrimin e ndeshjes me rezultat zyrtar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Komisionit të Garave.
Pas këtij vendimi, Ballkani ka 16 pikë nga 11 ndeshje të zhvilluara, ndërsa Vushtrria mbetet e fundit në tabelë me vetëm tri pikë.



