Eduard Dervishaj, shqiptari që festoi titullin e Spanjës
Eduard Dervishaj është prej vitesh pjesë e Federatës Spanjolle të Futbollit, ku ka mbajtur role të rëndësishme, deri në atë të zëvendëssekretarit të përgjithshëm.
Dervishaj, i lindur dhe rritur në Tiranë, jeton në Spanjë që nga viti 1997. Aktualisht është drejtor i Departamentit Ndërkombëtar dhe Operacioneve në Federatën Spanjolle të Futbollit. Ai ka shërbyer gjithashtu si përgjegjës për organizimin e katër finaleve të Ligës së Kampionëve.
Jo rastësisht, 65-vjeçari është caktuar si personi përgjegjës për organizimin e Kupës së Botës 2030, e cila do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok. Këtë detyrë ai e mori vitin e kaluar.
Gjatë këtij viti, ish-trajneri i Dinamos së Tiranës ka qenë pjesë e ekipit të Federatës Spanjolle që shoqëroi përfaqësuesen e Spanjës në një turne të jashtëzakonshëm dhe në fund në shpalljen e saj kampione bote.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dervishaj ka publikuar fotografi me trofeun dhe trajnerin Luis de la Fuente, duke falënderuar të gjithë për këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe duke theksuar se ka përjetuar nga afër Botërorin e tij të dytë.
Kujtojmë se më herët ai ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, gjatë periudhës 1992–1996.




