Certifikohen 33 pjesëmarrës në programin ‘Job Placement Counselling’ në Universitetin e Prishtinës

21 korrik 2026 | 12:09

Tridhjetë e tre pjesëmarrës janë certifikuar në Universitetin e Prishtinës në kuadër të programit trajnues “Job Placement Counselling”, i cili është zhvilluar nga 20 prilli deri më 3 korrik të këtij viti.

Programi synon avancimin e procesit të orientimit, këshillimit dhe ndërmjetësimit drejt punësimit, si dhe përmirësimin e qasjes në tregun e punës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka deklaruar se përfundimi i programit paraqet një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi më të qëndrueshëm të orientimit profesional dhe mbështetjes së të rinjve gjatë kalimit nga studimet në punësim.

“Nuk po shënojmë vetëm përfundimin e një programi trajnues, po shënojmë një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi më të qëndrueshëm të orientimit profesional, këshillimit për karrierë dhe mbështetjes së të rinjve në kalimin nga studimi drejt punësimit. Në këtë drejtim, këshillimi për karrierë dhe ndërmjetësimi drejt punësimit janë thjesht thelbësore të misionit tonë. Programi ka pasur në qendër zhvillimin e kompetencave të këshilltarëve të punës, aftësinë për të orientuar individët, kuptuar nevojat e tyre, për t’i informuar për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, për t’i mbështetur në vendimmarrje dhe për t’i ndihmuar të ndërtojnë rrugë të qarta drejt tregut të punës”, ka deklaruar Hajrullahu.

Ministri në detyrë i Punës dhe Familjes, Andin Hoti, ka deklaruar se investimi në profesionistët që ndihmojnë qytetarët të gjejnë vende pune është njëkohësisht investim në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Investimi në njerëzit që çdo ditë ndihmojnë qytetarët të gjejnë vend pune dhe të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjen e tyre, është një investim për zhvillimin ekonomik të Kosovës. 33 zyrtarë të punësimit që keni përfunduar me sukses programin, duke fituar njohuri të reja, metoda të këshillimit, aftësi profesionale, do t’i zbatoni në punën tuaj të përditshme. Punësimi është një nga prioritetet kryesore për ministrinë tonë dhe çdo qytetar që i drejtohet kësaj ministrie, ai nuk e kërkon vetëm një informacion, por vjen për një mundësi”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkaq, menaxheri i projektit nga GIZ-i, Mario Eckardt, ka deklaruar se certifikimi përfaqëson më shumë sesa përfundimin e një trajnimi, duke theksuar rëndësinë e këshilltarëve modernë në tregun e punës.

“Kjo është më shumë se një certifikim i pjesëmarrësve për një trajnim. Sot në Kosovë është më e rëndësishme se kurrë më parë që njerëzve t’u ndihmohet që të gjejnë vendin e tyre në tregun e punës. Ju, tash si këshilltarë, jeni edhe trajnerë e mentorë dhe i kuptoni të gjitha barrierat me të cilat njerëzit përballen në përpjekje për ta gjetur vendin e tyre në tregun e punës. Politikat dhe proceset moderne, po ashtu, kanë nevojë për këshilltarë modernë të tregut të punës dhe më vjen mirë që keni përfunduar këtë trajnim. Do të jetë një program i vazhdueshëm, i cili do të mbetet në universitet, si një proces i cili do të vazhdojë edhe gjatë viteve të ardhshme”, ka deklaruar ai.

Programi synon të forcojë lidhjen ndërmjet institucioneve arsimore, shërbimeve të punësimit dhe nevojave të tregut të punës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, ka lënë gjurmë…