Gërxhaliu: Bllokimi i Hormuzit dhe Bab el-Mandebit do të trondiste ekonominë botërore

21 korrik 2026 | 13:07

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit dhe Bab el-Mandebit do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale, duke e cilësuar situatën si një luftë për korridoret tregtare, energjinë dhe rendin e ri botëror.

Sipas tij, mbyllja e këtyre dy rrugëve strategjike detare do të ndikonte në një pjesë të konsiderueshme të tregtisë botërore, do të shkaktonte rritje të çmimeve dhe vonesa të mëdha në zinxhirët globalë të furnizimit.

Gërxhaliu thekson se nëse Ngushtica e Hormuzit dhe Bab el-Mandebi do të bllokoheshin njëkohësisht, Kanali i Suezit do të humbiste funksionin e tij, ndërsa transporti detar do të detyrohej të devijonte përmes Kepit të Shpresës së Mirë, duke zgjatur udhëtimet me 10 deri në 18 ditë dhe duke rritur kostot e mallrave.

Ai shton se, sipas informacioneve mediatike, situata në Hormuz mbetet e paqartë dhe shoqërohet me rreziqe serioze për lundrimin, ndërsa ngre pyetje nëse zhvillimet aktuale mund të shënojnë fillimin e një procesi të de-dollarizimit në tregtinë globale dhe një sfide ndaj sistemit të “petrodollarit”.

Në përfundim, Gërxhaliu vlerëson se Hormuzi dhe Bab el-Mandebi janë shndërruar në nyje kyçe të rivalitetit gjeopolitik, duke ngritur dilema nëse përfituesit më të mëdhenj ekonomikë të kësaj situate mund të jenë Kina dhe Rusia.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Italisë është në pritje të përgjigjes…