Haziri: Beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit i takon vetëm LDK-së
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, pas kërkesës për mocion ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, duke bërë thirrje për unitet dhe shmangie të përçarjeve.
Haziri ka vlerësuar se çështja mes Abdixhikut dhe nënshkruesve të mocionit duhet të mbetet një proces i brendshëm i partisë.
“Beteja e Lumir Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.
Ai ka kritikuar ata që, sipas tij, po e shfrytëzojnë situatën për pozicionime personale politike, duke vlerësuar se debatet publike nuk i shërbejnë të ardhmes së LDK-së.
“Të gjithë ata që po dalin në analiza, vlerësime e mësime, për apo kundër, janë vetëm pozicionime politike për veten e tyre e jo për të ardhmen e LDK-së”, ka shkruar Haziri.



