Koha të fillojë Dialogu Strategjik SHBA-Kosovë

22 korrik 2026 | 14:19

Albanians For America

Për tri dekada, marrëdhëniet Kosovë–SHBA janë ndërtuar mbi një aleancë të provuar në momentet më vendimtare të historisë. Sot, kjo aleancë ka mundësinë të marrë një dimension të ri me fillimin e Dialogut Strategjik.

Në janar të vitit 2024, gjatë vizitës në Kosovë, Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, kishte paralajmëruar se procesi i Dialogut Strategjik do të finalizohej së shpejti.

Ky paralajmërim ishte njëherësh edhe tregues se marrëdhëniet Kosovë–SHBA po hynin në një fazë të re, të strukturuar dhe më të thellë.

Kosova ka ndërtuar me Shtetet e Bashkuara një marrëdhënie të veçantë, të formësuar nga historia, besimi dhe partneriteti. Kjo lidhje shkon përtej marrëdhënieve diplomatike tradicionale, pasi mbështetja amerikane ka qenë thelbësore në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të saj.

Pikërisht mbi këtë bazë historike dhe këtë mirëbesim të ndërtuar ndër vite, Dialogu Strategjik paraqet një hap të natyrshëm për ta thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Departamenti i Shtetit zhvillon Dialog Strategjik me shtete me të cilat synon koordinim afatgjatë në fusha si mbrojtja, siguria, energjia, ekonomia, teknologjia dhe politika e jashtme.

SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe disa shtete të tjera.

Prandaj për Kosovën, Dialogu Strategjik me SHBA-në do të ishte hapi i natyrshëm i një partneriteti që ka qenë vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e vendit. Ai do ta thellonte bashkëpunimin ekzistues me aleatin që ka luajtur rolin më përcaktues në historinë moderne të Kosovës. Megjithatë, rruga drejt nisjes së këtij procesi rezultoi më e ndërlikuar sesa pritej.

Më 12 shtator 2025, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi se Dialogu Strategjik me Kosovën ishte pezulluar për një kohë të pacaktuar. Arsyeja e dhënë ishte se veprimet e qeverisë në detyrë kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në veri, duke kufizuar aftësinë e SHBA-së për të punuar me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.

Pezullimi në atë kohë ishte i lidhur me veprimet e Qeverisë në pjesën veriore të Kosovës dhe të cilat nga pala amerikane ishin parë me skepticizëm dhe të ndërlidhura me stabilitetin rajonal.

Koha ka treguar se rrethanat që çuan në pezullim nuk u shndërruan në krizë afatgjatë që druhej atëkohë. Stabiliteti institucional i Kosovës u ruajt dhe veriu hyri gradualisht në një fazë më të qëndrueshme.

Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, pezullimi i Dialogut Strategjik vazhdon të jetë në fuqi. Meqë rrethanat që çuan në këtë vendim kanë ndryshuar dhe situata e sigurisë në veri është më e qëndrueshme, ekzistojnë të gjitha parakushtet që Dialogu Strategjik të fillojë.

Nuk ekziston më asnjë pengesë reale që ta justifikojë mosnisjen e Dialogut Strategjik, ngase pezullimi mund të jetë i përkohshëm, por aleanca e vërtet nuk zbehet nga rrethanat e momentit.

Marrëdhëniet Kosovë–SHBA i kanë mbijetuar ndryshimeve të shumta politike në Prishtinë dhe Uashington. Pikërisht për këtë arsye, një proces i ngrirë nuk duhet të shndërrohet në një mundësi të humbur.

Lidhja e Kosovës me SHBA-të është ekzistenciale. Fillimi i Dialogut Strategjik vetëm sa e forcon edhe më tej këtë linjë.

Kosova është një partnere besnike e SHBA-ve dhe është bërë shtet falë angazhimit vendimtar amerikan. Në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara, duke i prirë NATO-s, ndërhynë për të ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Liria dhe më pas pavarësia e Kosovës nuk mund të kuptohen pa rolin udhëheqës të Uashingtonit.

Kjo lidhje e fuqishme reflektohet edhe te qytetarët. Në pothuajse çdo sondazh ndërkombëtar, kosovarët renditen ndër popujt më proamerikanë në botë.

Mbështetja për SHBA-të nuk është preferencë politike, por pjesë e vetëdijes kolektive të qytetarëve të Kosovës, të cilët në Amerikën shohin shpëtimin, lirinë dhe shtetin e ndërtuar.

Nga ky prizëm, Dialogu Strategjik nuk është dhe as nuk duhet trajtuar si favor, por si shprehje e një partneriteti që tashmë ekziston.

Rikthimi i Dialogut Strategjik shihet edhe më i nevojshëm se kurrë në dritën e zhvillimeve politike dhe gjeostrategjike.

Shtetet e Bashkuara po avancojnë Dialogun Strategjik me Serbinë, ndërkohë që Beogradi ende refuzon ta njohë sovranitetin e Kosovës.

Serbia ende nuk ka dhënë përgjigje të plota për shumë çështje të trashëguara nga e kaluara e luftës. Krimet e luftës, dhunimet sistematike, fati i personave të zhdukur me dhunë dhe mungesa e drejtësisë për viktimat mbeten çështje të hapura që kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi.

Rasti i vëllezërve Bytyqi mbetet një test i drejtpërdrejtë për marrëdhëniet Serbi–SHBA. Tre shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova u vranë në Serbi dhe drejtësia për këtë krim ende nuk është vendosur. Po ashtu, diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës vazhdon të jetë një problem serioz i të drejtave të njeriut.

Përtej kësaj, Serbia ka partneritet të ngushtë me Kinën dhe ka vazhduar marrëdhëniet e privilegjuara me Rusinë edhe pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Këto janë çështje me peshë të drejtpërdrejtë strategjike për Uashingtonin.

Ndërsa Serbia vazhdon të ruajë lidhje të forta me aktorë jashtë kampit euroatlantik, Kosova ka zgjedhur qartësisht rrugën euroatlantike.

Ajo është e harmonizuar me politikën euroatlantike, mbështet sanksionet ndaj Rusisë, synon anëtarësimin në NATO dhe është në linjë me interesat amerikane.

Kosova është bërë pjesë e Bordit të Paqes si një nga themelueset e tij, me ftesë të Presidentit Donald Trump.

Fakti që Kosova është ftuar të jetë pjesë e një nisme ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë tregon se në Uashingtoni e trajton Kosovën si partnere strategjike, ndaj fillimi i Dialogut Strategjik do të ishte vazhdimësi e natyrshme e këtij partneriteti.

Duke pasur parasysh orientimin e qartë euroatlantik të Kosovës, mbështetjen e jashtëzakonshme që kosovarët kanë për Shtetet e Bashkuara, ndryshimin e rrethanave që çuan në pezullimin e fillimit të Dialogut Strategjik, kushtet për riaktivizimin e këtij procesi duken sot jo vetëm të favorshme, por edhe strategjikisht të nevojshme.

Prandaj, koha për ta filluar Dialogun Strategjik Kosovë–SHBA është tani. Ky nuk është një favor ndaj Kosovës dhe as një koncesion diplomatik. Është njohje e një aleance që është provuar në luftë, është forcuar në paqe dhe është mbështetur vazhdimisht nga qytetarët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova tashmë veprojnë si partnerë strategjikë, prandaj duhet filluar Dialogu Strategjik, jo për të krijuar një partneritet të ri, por për ta ngritur atë në një nivel më të strukturuar, më të koordinuar dhe më afatgjatë, ashtu siç e meriton aleanca më e rëndësishme në historinë e Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kupa e Botës 2026 pritet të bëhet turneu më fitimprurës…