Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së bazës operative të Wizz Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”

22 korrik 2026 | 15:35

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së bazës operative të Wizz Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e vendimit të Wizz Air, për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë të qartë zhvillimi, si dhe me potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit, të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve”, tha kryeministri Kurti. Ai më tej shtoi se suksesi i këtillë nuk ka ardhur rastësisht, por është siç tha kryeministri rezultat i një pune të përbashkët, i përkushtimit institucional, i bashkëpunimit të ngushtë me operatorët ekonomikë e me partnerët tanë ndërkombëtarë, i shtimit të numrit të pasagjerëve, si dhe i qeverisjes së mirë që e ka ngjallur dhe po e rritë besimin në potencialin që shteti ynë e ka.

“Sa më shumë destinacione, operatorë dhe konkurrencë të drejtë të kemi në treg, aq më të përballueshme bëhen biletat për qytetarët tanë. E kur çmimet ulen, familjet takohen më shpesh, studentët udhëtojnë më lehtë, ndërkaq bizneset krijojnë bashkëpunime të reja”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

I nderuari ministër i Financave, Hekuran Murati,

I nderuari Kryeshef Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari, z. Gökhan Açıkgöz,

Të nderuar përfaqësues të Wizz Air;

Të nderuar drejtues e përfaqësues të institucioneve të Kosovës,

Të nderuar ambasadorë të akredituar në Republikën tonë;

Të nderuar mysafirë, zonja dhe zotërinj,

Sot, teksa e shënojmë 16-vjetorin e Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në shpërputhje me të drejtën ndërkombëtare, jemi mbledhur për një lajm tjetër të mirë për shtetin tonë.

Vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë të qartë zhvillimi, si dhe me potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit, të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve. Kjo bazë e re dhe avioni i ri Airbus A321neo, me kapacitet prej 239 ulësesh, janë investim i rëndësishëm dhe tregues që vendi ynë po bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe për industrinë ndërkombëtare të aviacionit. Suksesi i këtillë nuk ka ardhur rastësisht. Ai është rezultat i një pune të përbashkët, i përkushtimit institucional, i bashkëpunimit të ngushtë me operatorët ekonomikë e me partnerët tanë ndërkombëtarë, i shtimit të numrit të pasagjerëve, si dhe i qeverisjes së mirë që e ka ngjallur dhe po e rritë besimin në potencialin që shteti ynë e ka.

Sektori i aviacionit, përveçse transport, është edhe infrastrukturë për zhvillim. Çdo linjë e re ajrore krijon mundësi e ura për lidhje të reja kulturore e njerëzore, profesionale e turistike, ekonomike e tregtare.

Në kontekstin rajonal, viteve të fundit, Aeroporti i Prishtinës, është rritur me dinamikë të lartë. Numri i udhëtarëve ka shënuar vazhdimisht rekorde të reja, kështu që edhe ky numri që e shihni këtu 4 milionë, nuk është më 4 milionë, është 4.6 milionë, po i afrohemi ngadalë por sigurt edhe shifrës prej 5 milionë pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me ç’rast krahasuar me vitin 2024, në vitin e kaluar i kemi pasur 12 për qind më shumë pasagjerë, që do të thotë kanë qenë 8 udhëtarë janë bërë 9, nëse dëshirojmë më praktikisht ta shpjegojmë këtë përqindje, e tash ne jemi të interesuar që numri i udhëtarëve i cili po rritet gjithashtu të ketë edhe bileta sa më të lira në mënyrë që qarkullimi të jetë, sa më i përballueshëm.

Kjo, në përgjithësi është shenjë se qytetarët tanë udhëtojnë më shumë dhe mërgata jonë po e viziton më shpesh vendlindjen, por edhe se numri i turistëve po shtohen. Andaj, është e domosdoshme që të kemi edhe në të ardhmen zhvillime e ngjarje sikurse kjo sot.

Mërgata siç e dimë të gjithë, siç e përjetojmë çdo ditë, është një nga shtyllat më të forta të shtetit tonë dhe jemi të lumtur që ky lajm përbën pikërisht, lajmin e periudhës së stinës së verës kur familjarët e të afërmit tanë vijnë më së shumti në vendlindje.

Në e dimë që numri i fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, vetëm për Zvicrën nganjëherë edhe i afrohet 30 fluturimeve në ditë në stinët e Korrikut e të Gushtit.

Qindra-mijëra bashkatdhetarë jetojnë, punojnë e kontribuojnë në shumë vende evropiane e më gjerë, duke sjellë vazhdimisht investime, përvoja, ide dhe energji të reja këtu. Prandaj, çdo mundësi shtesë për linja ajrore është edhe një urë më shumë mes mërgatës sonë dhe atdheut tonë të përbashkët.

Sa më shumë destinacione, operatorë dhe konkurrencë të drejtë të kemi në treg, aq më të përballueshme bëhen biletat për qytetarët tanë. E kur çmimet ulen, familjet takohen më shpesh, studentët udhëtojnë më lehtë, ndërkaq bizneset krijojnë bashkëpunime të reja.

Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, shtimi i lidhjeve ajrore është edhe çështje strategjike. Synimi ynë është që qytetarët tanë të kenë sa më shumë zgjedhje, sa më shumë destinacione, sa më shumë kompani ajrore dhe çmime sa më të favorshme. Andaj këtë investim e shohim si fillim të një kapitulli të ri dhe jemi të interesuar të kemi sa më shumë avionë në Prishtinë, sa më shumë linja direkte drejt qyteteve evropiane e më gjerë, dhe sa më shumë kompani të cilat e lidhin Kosovën si pjesë të strategjisë së tyre afatgjate, pra të këtyre kompanive ajrore ndërkombëtare.

Republika jonë ka popullsinë më të re në Evropë dhe një ekonomi të qëndrueshme e cila po shtohet në nivele të dallueshme nga vendet e rajonit. Stabiliteti institucional dhe potenciali i madh zhvillimor janë arsye të forta që investitorët duhet ta shohin Kosovën si shtet serioz dhe partner afatgjatë. Në këtë drejtim, ne i falënderojmë drejtuesit e Wizz Air, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, menaxhmentin dhe stafin, të cilët kanë punuar me përkushtim për ta bërë të mundur këtë ngjarje. Falënderoj, po ashtu, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, Autoritetin e Aviacionit Civil dhe të gjitha institucionet që kanë kontribuuar në këtë proces dhe finalizimin e suksesshëm të tij.

Republika e Kosovës është e hapur, partner i besueshëm dhe vend i duhur për investime. Sa më të lidhur që të jemi me botën, aq më shumë do të zhvillohemi si shtet; sa më shumë njerëz që vijnë në Kosovë, aq më shumë do ta njohin potencialin tonë; dhe sa më lehtë të udhëtojnë qytetarët tanë, aq më të forta lidhjet tona familjare, ekonomike, tregtare, kulturore dhe shoqërore.

Ju faleminderit shumë të gjithëve dhe urime për këtë arritje të rëndësishme, e ju dëshiroj suksese edhe më të mëdha të reja në të ardhmen!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas reagimit të Bashkimit Evropian, ka reaguar edhe Ambasada e…