Kryeprokurori i Shtetit dhe drejtori i ATK-së diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur në takim drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni.
Fillimisht, drejtori i ATK-së, Hyseni, ka uruar kryeprokurorin Gashi për fillimin e mandatit si kryeprokuror i shtetit. Me këtë rast, ata kanë diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në trajtimin efikas të çështjeve të përbashkëta në luftimin e veprave penale të pastrimit të parave, evazionit fiskal, si dhe luftimin e të gjitha formave të tjera të kriminalitetit financiar, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Në këtë takim është theksuar edhe nevoja e zbatimit më proaktiv të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Administratës Tatimore të Kosovës, që ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve në kuadër të platformës për hetime penale mbi të dhënat inteligjente, gjë që do të kontribuojë në luftimin më efektiv të veprave penale që ndërlidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar.



