Detaje rreth arrestimit të 3 zyrtarëve në MPB: Përfituan duke lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj

22 korrik 2026 | 22:33

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka ndaluar tre persona të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit”.

Sipas Prokurorisë, aksioni është zhvilluar pas një hetimi disamujor dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Nga tre të ndaluarit, dy janë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Njëri është zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

“Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare, të dyshuarit me inicialet F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen për veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’, ndërsa i dyshuari D.K. dyshohet për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumentit’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas hetimeve, dy zyrtarët dyshohet se, në bashkëkryerje, kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj duke u mundësuar pajisjen me dokumentacion përkatës, nga i cili dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkaq, i dyshuari me inicialet D.K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme për t’u mundësuar personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të shqyrtojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

Në fund, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, në luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik, si dhe në garantimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka…