Casemiro bëhet bashkëlojtar i Messit te Inter Miami
Pas disa sezoneve te Manchester Unitedi, mesfushori brazilian Casemiro ka nënshkruar zyrtarisht me Inter Miamin.
Braziliani, i cili për shumë vite ka luajtur së bashku me Cristiano Ronaldon, tani do të ketë mundësinë të luajë edhe përkrah Lionel Messit.
Inter Miami, përmes një komunikate zyrtare, ka njoftuar transferimin e Casemiros, i cili ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2027, me opsion vazhdimi deri në vitin 2029.
“Inter Miami njofton se ka nënshkruar me mesfushorin brazilian Casemiro. Pesë herë fituesi i Ligës së Kampionëve i bashkohet klubit si lojtar i lirë deri në vitin 2027, me opsion për ta vazhduar kontratën deri në vitin 2029”, ka njoftuar Inter Miami.
Ndërsa Casemiro është shprehur i motivuar për të dëshmuar veten në aventurën e tij të re. “Jam shumë mirënjohës dhe mezi pres t’ia filloj punës për ta shpërblyer besimin, jo vetëm gjatë 90 minutave, por edhe në stërvitje. E tëra që mund të them është faleminderit”, është shprehur ai.
Casemiro periudhën më të suksesshme të karrierës e ka kaluar te Real Madridi, ku ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm, përfshirë pesë tituj të Ligës së Kampionëve.



