Ushtarë moldavë nisen drejt Kosovës për një mision të ri në KFOR

23 korrik 2026 | 16:24

Një grup prej 41 ushtarësh të Ushtrisë Kombëtare të Moldavisë është nisur drejt Kosovës për t’iu bashkuar misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Për gjashtë muajt e ardhshëm, ushtarët moldavë do të shërbejnë së bashku me trupa nga vende të tjera, me qëllim monitorimin e situatës së sigurisë në rajon. Para nisjes, kontingjenti ka përfunduar një program të gjerë trajnimi, shkruan “Radio Moldova”.

Si pjesë e misionit të KFOR-it, kontingjenti moldav do të angazhohet në garantimin e sigurisë së objekteve ushtarake dhe kryerjen e patrullimeve brenda zonës së tij të përgjegjësisë.

Trupat moldave do të veprojnë nën Komandën Rajonale Perëndimore dhe do të vendosen në bazën ushtarake “Camp Villaggio Italia” në Pejë.

Lejtnantja Marina Agachi është njëra nga shtatë gratë që do të marrin pjesë në këtë mision.

“Jemi të përgatitura si moralisht dhe psikologjikisht, ashtu edhe profesionalisht. Janë zhvilluar disa lloje trajnimesh, si jashtë vendit ashtu edhe brenda tij. Unë kam besim te koleget e mia dhe, me mbështetjen e ushtarëve burra, ne nuk e lëmë njëra-tjetrën pas. Ata na ndihmojnë dhe unë u uroj atyre shumë suksese”, është shprehur Agachi.

Misioni i parë paqeruajtës i Moldavisë në KFOR ka nisur më 8 mars 2014.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka…