Rama: Në protestën për Zvërnecin pati ndërhyrje të huaja dhe manipulime me lajme të rreme

24 korrik 2026 | 15:10

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të premten se në protestën kundër investimit në Zvërnec ka pasur “ndërhyrje të huaja brutale”, manipulime me lajme të rreme dhe video të deformuara, por ka theksuar se shkaku kryesor i pakënaqësisë së qytetarëve lidhet me rënien e besimit te institucionet dhe pritshmëritë e tyre të papërmbushura.

Sipas ATSh-së, gjatë mbledhjes së përbashkët të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, i pari i qeverisë në Tiranë ka theksuar se në protestë “kishte pa diskutim ndërhyrje të huaja brutale, manipulime të panumërta me lajme të rreme dhe video të deformuara”, duke shtuar se këto elemente ishin pjesë e rëndësishme e asaj që ndodhi, por jo thelbi i protestës.

Ai ka theksuar se protesta nxori në pah një hendek mes fakteve të paraqitura nga qeveria dhe mënyrës se si qytetarët e përjetuan situatën.

“Ne lart kishim faktet, njerëzit poshtë kishin përjetimin. Fakti ynë ishte se investimi i Zvërnecit është tokë private, ndërsa përjetimi i tyre ishte se toka e shtetit po u shitej të huajve. Fakti ynë ishte se projekti është ende në fazën e projektimit, ndërsa përjetimi i tyre ishte se ndërtimi kishte nisur dhe projekti duhej anuluar”, ka deklaruar Rama.

Rama ka theksuar se analizimi i ndërhyrjeve të huaja është i domosdoshëm për të kuptuar protestën në tërësi, por ka shtuar se përgjigjja për “hendekun” mes qeverisë dhe qytetarëve duhet kërkuar te pritshmëritë në rritje të njerëzve dhe përvojat e tyre me administratën publike.

“Duam ne apo s’duam ne, njerëzit presin çdo ditë e më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë, sidomos ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën”, është shprehur ai.

Kryeministri shqiptar ka deklaruar se, kur bie besimi i qytetarëve, edhe faktet më të forta perceptohen si gënjeshtra, ndërsa dezinformimi fiton terren.

“ATSH” ka cituar Ramën të ketë deklaruar se protesta nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh edhe ndikimin e hapësirës digjitale, ku, sipas tij, u përhapën në masë sinjale dhe përmbajtje që ndikuan në perceptimin publik për ngjarjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Butrint Bytyqi shpall tw pavlefshme Vendimin mbi njohjen e Doktoratës…