KFF Mitrovica kualifikohet në raundin e dytë të UEFA Women’s Champions League
Klubi Futbollistik i Femrave Mitrovica ka siguruar kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Women’s Champions League, pasi triumfoi në finalen e miniturneut kualifikues të raundit të parë.
Kampionet e Kosovës mposhtën kampionin e Bullgarisë, Ludogorets, me rezultat 2:0, duke vazhduar me meritë rrugëtimin në garën më prestigjioze evropiane për klube.
Pas këtij suksesi, Federata e Futbollit e Kosovës ka uruar KFF Mitrovicën, duke e cilësuar këtë si një tjetër arritje të rëndësishme për futbollin e Kosovës. FFK vlerësoi punën, disiplinën dhe përkushtimin e futbollisteve, të cilat, sipas saj, po dëshmojnë se futbolli i femrave në Kosovë po shënon përparim të vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare.
Federata gjithashtu uroi trajnerin Shpëtim Idrizi, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe të gjithë qytetarët e Mitrovicës, duke i dëshiruar ekipit suksese edhe në sfidat e raundit të dytë dhe vazhdimësi në përfaqësimin dinjitoz të futbollit të Kosovës në Evropë.



