Java nis me shi e rrufe, përfundon me temperatura të larta
Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se gjatë periudhës 27–31 korrik 2026 vendi do të përfshihet nga mot kryesisht me diell, ndërsa temperaturat do të rriten gradualisht deri në fund të javës.
Të hënën parashihen diell dhe vranësira lokale, të cilat mund të sjellin reshje shiu, rrufe dhe breshër në zona të izoluara. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 26 deri në 30 gradë Celsius, ndërsa gjatë zhvillimit të vranësirave mund të ketë fuqizim të përkohshëm të erës.
Të martën priten intervale të gjata me diell dhe vranësira të shpërndara. Reshje të izoluara mund të paraqiten kryesisht në zonat malore, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 32 gradë.
Nga e mërkura moti pritet të stabilizohet, me më shumë diell dhe rritje të temperaturave deri në 33 gradë Celsius.
Të enjten dhe të premten parashihet mot i nxehtë dhe kryesisht me diell. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 36 gradë të enjten, ndërsa të premten mund të shënojnë deri në 38 gradë Celsius në pjesën më të madhe të territorit.
Era gjatë javës do të jetë kryesisht e dobët deri mesatare, nga drejtimet veriperëndimore, veriore dhe perëndimore.



