Vazhdojnë punimet në Urën e Tretë mbi lumin Ibër në Mitrovicë
Punimet në ndërtimin e Urës së Tretë mbi lumin Ibër në Mitrovicë, po vazhdojnë sipas planit dhe dinamikës së paraparë, duke shënuar përparim në realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se punimet janë duke u zhvilluar në përputhje me afatet e planifikuara, me synimin që projekti të përfundojë sipas standardeve të përcaktuara.
Sipas ministrisë, ndërtimi i kësaj ure pritet të përmirësojë ndërlidhjen rrugore, të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe të rrisë sigurinë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit mbetet e përkushtuar për realizimin e projekteve që përmirësojnë lidhjen, qarkullimin dhe sigurinë për qytetarët”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ura e Tretë mbi lumin Ibër konsiderohet një projekt me rëndësi të veçantë infrastrukturore, i cili pritet të kontribuojë në zhvillimin e rrjetit rrugor dhe lehtësimin e lëvizjes në këtë zonë.



