Mashtrim me donacione dhe termine për viza, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një gruaje në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës me inicialet Gj.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në vazhdimësi, ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, e pandehura, në periudha të ndryshme kohore gjatë viteve 2022–2024, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke u prezantuar si përfaqësuese e një organizate joqeveritare, ka mashtruar një numër të konsiderueshëm qytetarësh, duke u premtuar përfitimin e donacioneve, përfshirë krerë gjedhësh, sera bujqësore dhe ndërmjetësim për sigurimin e termineve për viza, në këmbim të pagesave të ndryshme.
Sipas aktakuzës, me këto veprime, e pandehura dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën e përgjithshme prej 11,650 (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) euro.
“Prokurori i shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurën Gj.M. ta shpallë fajtore për veprën penale që i vihet në barrë dhe ta dënojë sipas ligjit”, thuhet në njoftim.



