Lumir Abdixhiku u bën thirrje delegatëve të LDK-së: “Qëndroni!”
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi e ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë më 30 korrik, pas kërkesës për shkarkimin e tij. Abdixhiku ka thënë se, edhe pse e konsideron këtë proces të panevojshëm, do ta respektojë demokracinë dhe do të përballet para delegatëve të LDK-së. Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë”, ka shkruar ai.
Reagimi i plotë;
Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim. Në pesë vite si Kryetar, ky është Kuvendi im i katërt. Në tri prej tyre, kam dalë vetë para anëtarësisë dhe kam kërkuar besimin e saj. Këtë herë, të njëjtin besim më është kërkuar ta rimarr përsëri; veçse njëanshëm me kërkesë për shkarkim. Në 37 vite histori, kjo praktikë nuk ka gjetur vend asnjëherë në LDK.
E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së. As nuk ka qenë koha; as vendi; edhe më pak mënyra.
Por zgjodhën një rrugë tjetër.
Dhe demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Une e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem. Pres të sillen njejtë edhe të tjerët pas të enjtës kur LDK flet përsëri.
Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë. Dhe në këtë rrugëtim, do të qëndrojë. Sepse përveç bindjes s’kam asgjë tjetër. Dhe nga këto bindje, del dhe thirrja ime, për delegatët e Lidhjes. Qëndroni!
Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë. Qartësinë se kjo shtëpi e madhe e demokracisë është veç e anëtarësisë!
Të enjtën, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën.



