Grupi i Abdixhikut e Osmanit ‘premtime’ me poste ministrore për delegatët që janë kundër

28 korrik 2026 | 22:24

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thirrur për të enjten në orën 18:00 Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku pritet të testohet mbështetja e delegatëve ndaj udhëheqjes së tij.

Burime të Periskopit brenda LDK-së bëjnë të ditur se ditët e fundit janë intensifikuar përpjekjet e njerëzve të afërt me Abdixhikun, për të bindur delegatët që kanë nënshkruar kundër tij, që të mos votojnë për shkarkimin e kryeatrit aktual në Kuvendin e jashtëzakonshëm.

Sipas të njëjtave burime, rreth 50 delegatë janë kontaktuar individualisht dhe janë ftuar në takime me përfaqësues të udhëheqjes së partisë.

Gjatë këtyre kontakteve janë dhënë premtime për përfshirje në poste ekzekutive në rast të pjesëmarrjes së LDK-së në qeveri, përfshirë pozita të zëvendësministrave dhe funksione të tjera publike.

Vlen të theksohet se njëra nga delegatet e LDK’së nga Ferizaj, Bahrije Hyseni e ka konfirmuar në emisionin Debat Plus që ka marrë mesazh për takim me Vjosa Osmanin pasi që e ka treguar qëndrimin kundër Lumirit.

Znj. Hyseni është vetëm njëra nga shumë delegatë që janë kontaktuar në të njëjtën formë.

As nga kampi i Vjosa Osmanit, e as nga ai i Abdixhikut nuk kanë mohuar pretendimet e tilla, duke mos iu përgjigjur kontaktimeve të Periskopit.

Ajo që dihet deri më tani nga paknaqësia e shumicës së delegatëve kundër Abdixhikut është fakti i paraqitjes së dobët në zgjedhjet në vend, ku kryetari i tyre aktual nuk arriti ta ringrisë partinë e tij. Madje, nëse analizojmë performancën e vetë kryetarit Abdixhiku, ky i fundit rezulton të ketë regjistruar raportin më të ulët të votave personale në krahasim me totalin e votave të subjektit që drejton, në historikun e zgjedhjeve të fundit të Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Pejës dhe anëtari i Kryesisë së LDK’së Gazmend…