Raporti preliminar i IKKL-së: Në luftën e Kosovës u vranë 12 mijë e 230 persona
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se gjatë periudhës 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999, në luftën e Kosovës janë dokumentuar 12 mijë e 230 persona të vrarë. Shifrat janë prezantuar gjatë lansimit të raportit preliminar të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL).
Sipas raportit, në mesin e viktimave janë 1 mijë e 47 fëmijë të moshës 0 deri në 17 vjeç, ndërsa 94 fëmijë kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës. Po ashtu, ende nuk dihet fati i 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë.
Kurti ka thënë se raporti përbën një dëshmi institucionale për pasojat e luftës dhe, sipas tij, përfaqëson një detyrim shtetëror për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë së bashku. Raporti përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori, të cilat nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi”, ka deklaruar Kurti.
Sipas të dhënave të prezantuara, pjesa më e madhe e viktimave është dokumentuar gjatë periudhës mars-qershor 1999. Vetëm gjatë kësaj periudhe janë vrarë 9 mijë e 948 persona, që përbëjnë rreth 81.3 për qind të të gjitha viktimave të dokumentuara në raport.
Drejtori i institutit ka sqaruar se raporti preliminar përfshin tri kategori kryesore: personat e vrarë, personat e zhdukur me dhunë dhe personat që kanë vdekur si pasojë e luftës.
Kurti ka folur edhe për gërmimet që kanë nisur në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet për ekzistencën e një varreze masive. Sipas tij, ky rast dëshmon se për shumë familje në Kosovë, lufta ende nuk ka përfunduar.
Kryeministri në detyrë ka kritikuar gjithashtu Serbinë për, siç ka thënë, mos-hapjen e arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe për zbardhjen e fatit të personave që ende rezultojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.



