Arrestohet 49-vjeçari në Gjakovë – Policia i gjen pistoletë “SIG Sauer” dhe fishekë gjatë kontrollit
Një kontroll rutinë i Policisë së Kosovës në orët e para të mëngjesit ka çuar në arrestimin e një 49-vjeçari në Gjakovë, pasi në veturën e tij u gjet një armë zjarri me municion. Sinjali mëson se i arrestuari është Agim Dervishaj rreth 49-vjeç. Sipas burimeve, rasti ka ndodhur rreth orës 03:20, në rrugën “Gasper Karaqi”, ku patrulla policore kishte ngritur pikë kontrolli dhe ndaloi një veturë të tipit Golf VII.
Gjatë kontrollit të automjetit, policët kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të tipit “SIG Sauer” dhe 7 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Po ashtu, shoferit iu nënshtrua testit të alkoolit, i cili rezultoi se ai ishte në gjendje të dehur me 0.71 promilë alkool.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Agim Dervishaj është ndaluar për 48 orë. Arma është sekuestruar si provë materiale, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.



