Haxhiu nga Kalludra: Janë konfirmuar mbetje me prejardhje njerëzore, të ruhet integriteti i hetimeve

30 korrik 2026 | 13:28

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Haxhiu tha se në terren janë të angazhuara institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Sot, bashkë me ministren Bogujevci dhe ministrin Hoti, jemi këtu në fshatin Kalludër për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më lejoni që, së pari, të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: Policinë, Prokurorinë, Komisionin për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), por edhe secilin institucion tjetër që po bën angazhimin maksimal për të ardhur deri te e vërteta. Ajo që tashmë është konfirmuar është se mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminimin dhe identifikimin e tyre”, ka thënë ajo.

Haxhiu u bëri thirrje institucioneve dhe mediave që të ruajnë integritetin e hetimeve.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se secili prej nesh, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe mediat, duhet të kujdesemi për ruajtjen e integritetit të hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Po ashtu, duhet të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë lokacion”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet një plagë e hapur edhe më shumë se 27 vjet pas përfundimit të luftës.

“Personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë janë plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 27 vjet nga lufta, ne vazhdojmë të përballemi me pasojat e saj. Ndërsa këtu po bëhen përpjekje maksimale për të zbuluar fatin e personave të zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, retorikë shoviniste, mohim të krimeve, si dhe me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, ka deklaruar Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Selin Bollati ka dhënë së fundmi një intervistë për emisionin…