Bashkëpunimi Kosovë-ShBA, “Albanians for America” kërkon rifillimin e dialogut strategjik
Delegacioni i organizatës “Albanians for America” ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ku është diskutuar për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në disa sektorë strategjikë.
Delegacioni i AFA-së, i përbërë nga Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, së bashku me përfaqësuesen amerikane, kanë riafirmuar rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve dhe nevojën për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë takimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, rritjes së investimeve amerikane në Kosovë dhe zhvillimit të sektorit të energjisë, përfshirë projektet që lidhen me gazin natyror të lëngshëm. Po ashtu, është diskutuar edhe për krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve strategjike.
Përfaqësuesit e AFA-së kanë theksuar se funksionimi i institucioneve dhe qeverisja e qëndrueshme janë faktorë kyç për rritjen e besimit të investitorëve dhe zhvillimin afatgjatë ekonomik të Kosovës.
“Forcimi i institucioneve dhe qeverisja e qëndrueshme janë thelbësore për rritjen e besimit të investitorëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, kanë theksuar përfaqësuesit e AFA-së.
Në kuadër të diskutimeve, delegacioni ka bërë thirrje edhe për rifillimin e Dialogut Strategjik Kosovë-ShBA, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të rëndësishëm për koordinim dhe bashkëpunim afatgjatë në fushat e sigurisë, ekonomisë, energjisë dhe zhvillimit institucional.
Gjithashtu, është nënvizuar kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe në krijimin e mundësive të reja për investime dhe zhvillim ekonomik.
Në përfundim të takimit, delegacioni i “Albanians for America” ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që ShBA-ja i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke riafirmuar përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.



