Agron Limani emërohet kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agron Limanin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke zëvendësuar në këtë detyrë ish-ministrin Andin Hoti.
Limani, aktivist shumëvjeçar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, kushtuar masakrës së Krushës së Vogël, dhe familjar i disa personave të zhdukur gjatë luftës.
Me rastin e emërimit, kryeministri ka theksuar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe i ka bërë thirrje Serbisë që të hapë arkivat ushtarake, në përputhje me Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë.
“Ndërsa gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë kryekëput rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, e përsërisim thirrjen për trysni ndërkombëtare që Serbia të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, në veçanti për hapjen e arkivave të forcave të saj, përfshirë këtu ndryshimin e vendimit për klasifikim 30-vjeçar, deri më 2044, përkatësisht hapjen e arkivës së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave”, ka thënë Kurti.






