KDI-ja mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e dispozitave të Rregullores për Vëzhguesit e Zgjedhjeve

03 gusht 2026 | 11:32

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për shfuqizimin e dispozitave të kontestuara të Rregullores Zgjedhore nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve. Sipas Gjykatës, këto dispozita tejkalonin Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke vendosur kushte dhe kufizime të reja për akreditimin dhe veprimtarinë e vëzhguesve.

Sipas KDI-së, dispozitat e shfuqizuara i jepnin KQZ-së kompetencë për të kërkuar informacione mbi burimet e financimit të organizatave pa bazë të qartë ligjore, zgjeronin kërkesat për dokumentacion ndaj organizatave vëzhguese dhe krijonin kritere të paqarta për refuzimin e akreditimit të organizatave dhe mediave.

“Këto rregulla linin hapësirë për vendimmarrje arbitrare dhe mund të kufizonin pjesëmarrjen e akterëve të pavarur në monitorimin e zgjedhjeve. Rregullorja po ashtu kufizonte pjesëmarrjen e vëzhguesve që ishin në procedurë hetimore për shkelje zgjedhore, duke cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë. Ky kufizim në anën tjetër nuk vlente edhe për komisionerët që mund të ishin në procedura hetimore. Për më tepër, rregullorja kufizonte qasjen e akterëve në mbledhjet publike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndonëse karakteri publik i këtyre mbledhjeve garantohet me ligj”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

KDI-ja kishte vlerësuar se këto dispozita jo vetëm që tejkalonin ligjin, por edhe rrezikonin të dobësonin rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave në monitorimin e proceseve zgjedhore. “Një kufizim i tillë do të cenonte transparencën, llogaridhënien dhe besimin e qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve. Vendimi i Gjykatës Supreme konfirmon se të drejtat dhe detyrimet e subjekteve nuk mund të kufizohen apo zgjerohen përmes akteve nënligjore pa mbështetje të qartë në ligj. Ky aktgjykim vendos një standard të rëndësishëm për administrimin e proceseve zgjedhore dhe për respektimin e parimeve të ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe transparencës”, theksohet në komunikatën e KDI-së.

KDI-ja i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta zbatojë pa vonesë aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. “Ky proces duhet të zhvillohet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me konsultim publik të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe akterëve të tjerë relevantë”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mirlind Daku i dha fund eksperiencës tek Rubin Kazani mes…