Konjufca paralajmëron negociata ‘më të thelluara’ me LDK-në këtë javë
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar negociata “më të thelluara” me Lidhjen Demokratike të Kosovës gjatë kësaj jave.
Konjufca ka thënë për “T7” se pritet të ketë takime për formimin e institucioneve para seancës konstituive të Kuvendit, e cila do të mbahet të enjten.
“Unë pres që në ditët në vijim, bile edhe para mbajtjes së seancës, të ketë edhe takime të tjera të nivelit politik mes partive politike, krejt me qëllimin që të zgjidhet kjo situatë në të cilën ndodhemi dhe t’i jepet mundësia krijimit të institucioneve të reja”, ka thënë ai.
Konjufca ka bërë me dije se në ditët në vijim pret që LV-ja t’i dërgojë ftesë LDK-së për bisedime.
“Kjo është arsyeja pse 6 gushti u caktua, siç e keni parë, dhe pres që në ditët në vijim edhe t’i dërgohet ftesa Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të kemi bisedime sa i përket kësaj mundësie”, ka deklaruar ai.
I pyetur nëse pas konstituimit të Kuvendit pret që institucionet e tjera të formohen shpejt, Konjufca ka thënë se është shumë optimist se me LDK-në do të mund të arrihet një marrëveshje “për të gjitha pozitat e larta”.
“Po, edhe për Presidentin ka shpresa. Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës, qysh e ka shpjeguar edhe vetë kryeministri, edhe pastaj të shohim se çfarë epilogu po sjell ky proces”.
“Qëllimi ka qenë, edhe prej anës së LDK-së, është shpjeguar prej Kryesisë së kësaj partie që do të jenë të gatshëm të bisedojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas kësaj, atëherë, jam shumë optimist që do të kemi një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës. Do të kemi një zgjidhje, besoj”, ka deklaruar Konjufca.



