Stradner: Serbia nxit tensione me Kosovën, OSBE-ja të mos mblidhet në Serbi

04 gusht 2026 | 13:12

Analistja Ivana Stradner ka kritikuar vendimin e Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për ta mbajtur sesionin vjetor të vitit 2027 në Beograd, duke vlerësuar se ky hap i jep legjitimitet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pavarësisht prapakthimit demokratik në Serbi.

Në një opinion të publikuar nga Stradner, thuhet se Vuçiq po përballet me sfidën më të madhe politike gjatë më shumë se një dekade në pushtet, për shkak të protestave mbarëkombëtare kundër korrupsionit dhe dobësimit të demokracisë. Sipas saj, në vend që të ushtrojnë presion për reforma, vendet perëndimore i kanë dhënë Vuçiqit një “vulë legjitimiteti” duke mbështetur kandidaturën e Beogradit.

Stradner ka argumentuar gjithashtu se Vuçiq ka nxitur paqëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor duke përshkallëzuar vazhdimisht tensionet me Kosovën dhe duke mbështetur liderin pro-rus të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili, me kërcënimet e tij të përsëritura për shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja dhe Hercegovina, ka thelluar paqëndrueshmërinë politike në rajon. Sipas saj, Serbia ka tentuar gjithashtu të pengojë integrimin e Malit të Zi në institucionet evropiane.

Stradner ka rikujtuar se protestat u nxitën pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, ndërsa qytetarët akuzuan qeverinë për korrupsion dhe kërkuan përgjegjësi.

Ajo ka theksuar se një koalicion dypartiak në Kongresin amerikan, i udhëhequr nga kongresmeni Joe Wilson, ka kërkuar që sesioni i OSBE-së të mbahet në Charleston të Karolinës së Jugut dhe jo në Beograd, duke argumentuar se regjimi i Vuçiqit ka një histori të shtypjes së lirive civile, destabilizimit të Ballkanit dhe afrimit me regjime autoritare.

Sipas Stradner, miratimi i organizimit të sesionit në Beograd bie ndesh me vlerat e OSBE-së dhe interesat e Shteteve të Bashkuara. /RTK

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, ka…