Shoqata e Qumështit, Ministrisë së Bujqësisë: Publikoni provat, jo vetëm prezantimet – kundërshtojmë dënimin publik pa prova

05 gusht 2026 | 12:43

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (ShIQK), e cila përfaqëson kompanitë “Drena”, “Aldi”, “Bylmeti”, “Golaj ShPK”, “Bio Sharri Progress”, “Kabi”, “Magic Ice”, “Qaushi”, “Rugove”, “Sharri” – Prizren, “Abi”, “Vita”, “Jeti”, “Koral” dhe “Sharri” – Kuk, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mënyrën se si Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) i kanë prezantuar rezultatet e kontrolleve në sektorin e qumështit.

Kjo shoqatë ka thënë se mbështet plotësisht kontrollin institucional, sigurinë ushqimore dhe marrjen e masave ndaj çdo operatori që ka shkelur ligjin, por ka theksuar se asnjë kompani dhe asnjë sektor nuk mund të dënohet publikisht pa u publikuar analizat origjinale, dokumentacioni përkatës dhe provat e verifikueshme.

“Gjatë konferencës u deklarua se janë marrë 495 mostra, janë analizuar 471 prej tyre dhe janë identifikuar 93 mospërputhje. Por publikut nuk iu prezantuan raportet e plota laboratorike, etiketat origjinale të produkteve, numrat e loteve, datat e mostrimit, procesverbalet dhe metodat laboratorike të përdorura”, është thënë në reagimin e ShIQK-së.

Nga shoqata është kërkuar publikimi i emrit të produktit, prodhuesit ose importuesit, numrit të lotit, fotografisë dhe kopjes së etiketës origjinale, datës, vendit dhe procesverbalit të marrjes së mostrës, metodës laboratorike dhe statusit të akreditimit, si dhe listës së plotë të 93 mospërputhjeve. Po ashtu, është kërkuar sqarim për dallimin ndërmjet 495 mostrave të marra dhe 471 mostrave të analizuara.

Ndryshe, anëtarët e kësaj shoqate grumbullojnë së bashku mbi 300 mijë litra qumësht në ditë, duke përfaqësuar pjesën dërrmuese të përpunimit të qumështit vendor dhe mijëra fermerë në mbarë Kosovën.

“Njëkohësisht, vërejmë se në diskutimet publike dhe institucionale është përfshirë edhe organizata e quajtur Shoqata e Qumështorëve të Kosovës, e cila, sipas informacioneve që disponojmë, përfaqësohet nga kompania ‘Ajka’ përmes Ramadan Memës. Sipas të dhënave tona, kjo kompani grumbullon rreth 1 mijë litra qumësht në ditë dhe, për këtë arsye, vlerësojmë se kjo organizatë nuk mund të konsiderohet përfaqësuese e industrisë së qumështit në Kosovë”, është thënë në reagimin e ShIQK-së.

Shoqata u ka bërë thirrje institucioneve që në proceset e konsultimit dhe vendimmarrjes të mbështeten te organizatat që përfaqësojnë realisht sektorin, bazuar në anëtarësinë, kapacitetin prodhues dhe peshën e tyre në treg, duke siguruar transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë operatorët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Safet Gërxhaliu Milton Friedman thoshte se politikat nuk duhet…