Gjini para seancës konstituive: Ky mandat është një përgjegjësi e madhe
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka reaguar para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se mandati i deputetit është një përgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve.
Ndonëse nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re, pasi do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e kryetarit të Komunës së Gjakovës, Gjini ka deklaruar se Aleanca do të jetë zëri i arsyes, zhvillimit dhe stabilitetit në Kuvend.
Përmes një postimi në “Facebook”, ai ka shprehur bindjen se deputetët e AAK-së do ta përfaqësojnë me dinjitet interesin publik.
“Jam plotësisht i bindur se ekipi i Aleancës do të jetë zëri më i fuqishëm i arsyes, zhvillimit dhe stabilitetit në këtë legjislaturë”, ka shkruar Gjini.
Ai ka ritheksuar se qëndrimi i Aleancës për zhvillimet politike ka qenë dhe mbetet i qartë e transparent, ndërsa u ka uruar suksese të gjithë deputetëve në fillim të mandatit të ri.



